Ish kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, bashkë me Bacën Rifat Jashari, kanë marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të shtatores së heroit Fahri Fazliu, raporton Gazeta Online Veriu info.
Krahas shumë personaliteteve tjera, Baca Rifat dhe Bekim Jashari kanë nderuar dhe vlerësuar figurën e dëshmorit Fahri Fazliu.
Bekim Jashari në fjalën e tij të rastit ka vlerësuar lartë veprën e dëshmorit Fazliu.
Postimi i plotë i Jasharit:
Bashkë me mixhën e dashur Rifat, morëm pjesë në ceremoninë e përurimit të shtatores së heroit të Kosovës Fahri Fazliu, të organizuar nën patronatin e kryetarit të Obiliqit, mikut tim Xhafer Gashi.
Me këtë rast para të pranishmëve deklarova që me këtë shtatore të vendosur në qytetin e Obiliqit nderohet jeta dhe vepra madhështore e veprimtarit dhe luftëtarit të Lirisë Fahri Fazliu, i cili që nga protestat e vitit 1981 e deri në rënien e tij heroike bashkë me heroin Afrim Zhitia asnjëherë nuk u ndalë së shërbyeri kauzës sonë për liri.
Duke nderuar dëshmorët dhe heronjtë tonë si Fahriu ne nderojmë vetëvetën, historinë dhe të kaluarën tonë të lavdishme andaj nderimi e respekti për ta duhet të jetë i përhershëm dhe maksimal.
Heronjtë dhe dëshmorët luftuan, sakrifikuan dhe dhanë jetën për Liri, neve na mbetet që të vazhdojmë rrugën dhe amanetin e tyre duke qenë të bashkuar e të unifikuar në rugën tonë me shumë sfida.
Lavdi heroit Fahri Fazliu dhe gjithë dëshmorëve e martirëve të rënë për Liri!