Të mbledhur sot në këtë ditë të veçantë, në javën e Lëvizjes, shënojmë 20 vjet të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dy dekada përkushtim, qëndresë dhe idealizëm për liri, barazi dhe drejtësi në Kosovë.
Ky udhëtim është ndërtuar nga njerëz që dhanë gjithçka – kohën, mundin, e disa edhe jetën. Në këtë përvjetor, si çdo herë tjetër përulemi me nderim të veçantë para Arbnor Deharit, një aktivist i ditur dhe i përkushtuar, që u bë simbol i qëndresës dhe sakrificës sonë. Arbnori jeton në kujtesën dhe angazhimin tonë të përditshëm për të drejtën dhe të vërtetën.
Sot është po ashtu një ditë gëzimi, sepse mirëpresim aktivistët e rinj që po i bashkohen Lëvizjes. Ju nuk po hyni thjesht në një subjekt politik, por në një rrëfim të përbashkët, që kërkon guxim, dije dhe përkushtim. Po bëheni pjesë e një familjeje politike që gjithmonë ka qenë në anën e drejtë, edhe kur kjo ka pasur kosto.
Të dashur të rinj, mirë se erdhët në Lëvizje! Këtu nuk kërkojmë privilegje, por marrim përgjegjësi. Këtu nuk qëndrojmë në vend, por ecim përpara, me guxim, me përulësi dhe me respekt për ata që na treguan rrugën.
Lavdi Arbnor Deharit!
Urime 20-vjetori i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Rroftë rinia aktive!