Pesë kadetë të Kosovës kanë diplomuar pas përfundimit të studimeve trevjeçare në akademitë ushtarake të Gjermanisë.
Kështu ka bërë të ditur Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Maqedonci ka njoftuar se ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të kadetëve në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin së bashku me përfaqësues ushtarakë të Ministrisë Federale të Mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura të Gjermanisë.
Ad Banner
“Urime Xheto Kelmendit për diplomimin në fushën e këmbësorisë, Leutrim Nikës në logjistikë, Gentri Azemit në IT ushtarake, si dhe Lavdim Sylejmanit dhe Betim Elshanit në polici ushtarake” , ka shkruar Maqedonci duke njoftuar se pas diplomimit, kadetët do t’i bashkohen trupës së oficerëve të Ushtrisë së Kosovës.
Sipas njoftimit të Maqedoncit deri më tani, 18 kadetë kanë përfunduar studimet në akademitë ushtarake të Gjermanisë, ndërsa 16 të tjerë po ndjekin studime ushtarake në akademi të ndryshme gjermane.
“Përmes programit Military Training Assistance, mbi 80 pjesëtarë të FSK-së kanë marrë pjesë në trajnime të ndryshme në Gjermani”, ka shkruar ministri i mbrojtjes.
Maqedonci ka falënderuar Ministrinë e Mbrojtjes së Gjermanisë për mbështetjen dhe bashkëpunimin si dhe kadetëve u ka uruar suksese në shërbim të Kosovës.










