Kampionati Botëror “Rusia 2018” është afër fillimit, ndërsa kësaj here në botëror do të marrin pjesë pesë futbollistë shqiptarë të cilët luajnë me kombëtare tjera – shkruan Gazeta Monitor.
Ndërsa, vetëm Përfaqësuesja e Zvicrës dhe Belgjikës kanë në radhët veta futbollistë me prejardhje shqiptare.
Zvicra do t’i këtë katër futbollistë me prejardhje shqiptare, ndërsa Belgjika vetëm një.
Valon Behrami do të jetë i padiskutuar në mesfushën e Zvicrës. Mitrovicasi ka 76 ndeshje zyrtare me Përfaqësuesen e Zvicrës.
Granit Xhaka do të jetë i pazëvendesuar në mesfushën e helvetikëve. Xhaka është vlerë e madhe për Përfaqësuesen e Zvicrës. Graniti ka luajtur 57 ndeshje zyrtare dhe ka shënuar tetë gola.
Mesfushori tetovar, Blerim Xhemaili është njëri ndër mesfushorët me më së shumti përvojë tek Zvicra. Tetovari ka zhvilluar 59 ndeshje me helvetikët dhe ka shënuar nëntë gola.
Ylli i zviceranëve i cili pritet të jetë rreziku kryesor për ekipet kundërshtare është Xherdan Shaqiri. Gjilanasi me Zvicrën ka luajtur 66 ndeshje zyrtare ku ka shënuar 20 gola.
Ndërsa, i vetmi lojtar shqiptar i cili merr pjesë në botëror dhe nuk është pjesë e Zvicrës është Adnan Januzaj. Januzaj është grumbulluar me përfaqësuesen e Belgjikës. Mesfushori nga Istogu ka zhvilluar gjashtë ndeshje me Belgjikën.
Pra, në qendër të vëmendjes për kombin shqiptarë pritet të jetë Përfaqësuesja e Zvicrës./Gazeta Monitor/