Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) në mbledhjen e Këshillit Drejtues të mbajtur ditën e djeshme ka vendosur që të pezullojë grevën e personelit mjekësor dhe të dialogojë me Qeverinë derisa të miratohet Ligji për Paga. Megjithatë, pavarësisht këtij vendimi, një gjë të tillë nuk do ta bëjnë kirurgët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, të cilët do të vazhdojnë grevën edhe më tej, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Arbër Morina, nga Kolegjiumi i Kirurgëve, ka thënë se ata do të vazhdojnë grevën e nisur më datën 17 dhjetor të vitit 2018.
Sipas tij, Projektligji për Pagat e mjekëve nuk i përfaqëson interesat e kirurgëve.
“Projektligji i propozuar e ka kaluar leximin e parë parlamentar, por ai është i definuar në formën më të keqe të mundshme. Ai projektligj nuk i përfaqëson interesat e kirurgëve, si i tillë është shumë i dëmshëm për shoqërinë dhe kirurgët, andaj ne e vazhdojmë grevën. Ne nuk do ta ndalim grevën derisa rrogat do të pësojnë ndryshime drastike dhe do të jenë sipas kërkesave tona”, ka thënë ai.