Shoqata Sindikale e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së, ka njoftuar se ka pezulluar protestën e paralajmëruar për sot nga ora 12:00.
Në njoftim thuhet se ky pezullim ka ardhur pas takimit të kryetares Tevide Imeri, me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifin.
“Pas takimi të Kryetares së FSSHK, znj. Tevide Imeri me Ministrin e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, z. Rifat Latifi, i njëjti është zotuar për rishqyrtimin e urdhëresave, përmes të cilave diskriminohen infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësor në QKUK”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se në këtë takim janë dakorduar që të krijohet shpejtë një Grup Punues për rishqyrtim dhe hartim, qoftë edhe të urdhëresave të cilat në realitet do kishin efekt pozitiv në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, mirëpo duke mos i diskriminuar dhe ngarkuar edhe më tepër infermierët në QKUK, të cilët edhe ashtu janë skajshmërisht të mbingarkuar.
“Kryesia e Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësor të QKUK ka vendosur që deri në rishqyrtimin e këtyre urdhëresave dhe krijimin e Grupit Punues, të ftoj të gjithë antarësinë, infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësor që MOS I ZBATOJNË katër ( 4 ) pikat e urdhëresave të cilat i konsiderojmë diskriminuese, denigruese dhe që kanë elemente të përdorimit të standarteve të dyfishta në raport me komunitetet tona”, thuhet në njoftim.
Teksa theksohet se në rast se nuk do anulohen këto urdhëresa, Kryesia dhe Këshilli Drejtues në takimin e javës së ardhshme do angazhohet që të ndërmarrin veprime radikale sindikale.
“Nuk do ketë paqe sociale në QKUK deri sa të kuptohet që komunitetet tona nuk janë qytetar të dorës së dytë, ndërsa poashtu nuk do mund të përjashtohen nga proceset dhe t’u cenohen të drejtat e tyre”, thuhet tutje./teve1.info./