Kompania amerikane e barnave Pfizer dhe partneri i saj me bazë në Gjermani BioNTech kërkuan të martën nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave autorizim për përdorimin e vaksinës COVID-19 tek fëmijët nën moshën pesë vjeç.
Të dy kompanitë i kërkuan FDA-së që të japë autorizim për përdorim urgjent për të administruar një dozë të ulët të vaksinës së saj me dy injeksione tek fëmijët duke filluar nga mosha gjashtë muajshe, edhe pse njoftuan në dhjetor se vaksina nuk dha një përgjigje imune tek fëmijët e moshave nga 2 deri në 4 vjeç, të ngjashme me atë të adoleshentëve dhe të rriturve. Të dy kompanitë kishin vendosur të shtonin një injeksion të tretë në provat e tyre klinike, një lëvizje që mund të kishte frenuar përpjekjet për ta bërë të disponueshme vaksinën për amerikanët më të rinj.
Por ekspertët e shëndetësisë i kërkuan Pfizer-it dhe BioNTech-ut që t’i bëjnë kërkesë FDA-së për regjimin me dy doza ndërsa ata presin rezultatet e testeve që përfshijnë dozën e tretë. Vaksina mund të jetë e disponueshme për përdorim në fund të shkurtit nëse FDA-ja dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve japin miratimin përfundimtar për përdorim emergjent.
Ndërkohë, një tjetër kompani farmaceutike me bazë në Shtetet e Bashkuara, Novavax, njoftoi të hënën se kishte paraqitur një kërkesë tek FDA-ja për miratimin e vaksinës së saj të vonuar gjatë COVID-19 për përdorim emergjent.
Vaksina me dy doza u zhvillua me një metodë konvencionale që përdor proteina për të mësuar sistemin imunitar të njohë dhe të bllokojë koronavirusin. Provat klinike zbuluan se vaksina ishte rreth 90 për qind e efektshme në sigurimin e imunitetit të mjaftueshëm për të mbrojtur kundër versionit fillestar të sëmundjes dhe varianteve të tij. Ekspertët thonë se teknologjia mund të tërheqë njerëzit që hezitojnë të imunizohen me vaksinat e zhvilluara nga Pfizeri apo Moderna që përdorin teknologjinë e avancuar të RNA-së.
Novavax mori 1.6 miliardë dollarë nga qeveria amerikane përmes programit Operation Warp Speed, të krijuar nga administrata e ish-presidentit Donald Trump për të zhvilluar shpejt vaksinat e reja të koronavirusit. Por Novavax u përball me vonesa të shumta për shkak të mungesës së kapacitetit prodhues. Vaksina tashmë është autorizuar në Indonezi, Korenë e Jugut, Indi dhe nga Agjencia Evropiane e Barnave, rregullatori i barnave për 27 vendet e Bashkimit Evropian. Ajo pritet të luajë një rol të rëndësishëm në rritjen e furnizimit me vaksina për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, sepse nuk duhet të ruhet në temperatura shumë të ulta, ndryshe nga vaksinat Pfizer ose Moderna.
Një raport i publikuar të martën nga Organizata Botërore e Shëndetësisë zbulon se pandemia e koronavirusit ka krijuar dhjetëra mijëra tonë mbetje mjekësore shtesë, si gjilpëra, shiringa dhe shishe të përdorura.
Raporti zbuloi se shumica e 87,000 tonëve të pajisjeve mbrojtëse personale (PPE), si maska dhe doreza gome, që u prokuruan përmes një nisme emergjente të Kombeve të Bashkuara midis marsit 2020 dhe nëntorit 2021, kanë përfunduar në mbeturina.