Deputeti i pavarur, Haki Abazi, tha se e ka parë draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i prezantuar nga diplomatët ndërkombëtarë.
Abazi edhe ka shpalosur përmbajtjen e tij duke pretenduar se është propozimi final.
“E kam parë draft-statutin e propozuar. E kam parë dhe pika shtatë është krejt e re kundrejt marrëveshjes 2013-2015. Për brenda përkufizimit të vetë menaxhimit, Asociacioni merr kompetenca në sektorin e shëndetësisë, sektorin e arsimit dhe sektorin e sigurisë. Asociacioni prek edhe nivelin qendror. Në fakt nuk është më draft, nuk duhet as ta keq informojmë publikun. Ai është propozimi final i cili është dërguar në tavolinë nga liderët evropianë dhe është pranuar nga Kurti”, deklaroi Abazi në emisionin “Këndi i Debatit”.
Ndërsa më tej, Abazi tha se nuk dihet ende nëse institucionet e Kosovës kanë të drejtë dhe kapacitet për ta dërguar një dokument të tillë në Gjykatën Kushtetuese.