Në Galerinë e Arteve në Gjilan është hapur ekspozita me punime konkurruese, të shtyllës “Peneli i Flakës 2024”, në kuadër të programit zyrtar garues të Manifestimit “Flaka e Janarit 2024”.
Në hapje të ekspozitës, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, theksoi rëndësinë, peshën, jehonën dhe masovitetin që e ka karakterizuar tradicionalisht manifestimin “Flaka e Janarit”, duke veçuar këtë edicion me ngritjen e shtatores së heroit Kadri Zeka, akt ky që e ka bërë akoma më madhështore manifestimin e sivjemë.
“Këtë vit përveç pjesëmarrjes së madhe në numër, të artistëve nga të gjitha trevat shqptare, “Flaka e Janarit” bëhet edhe më madhështore për shkak të ngritjes së shtatores së heroit, Kadri Zeka. Gjilani dhe Anamorava i ka dhënë shumë Kosovës. Ka shumë emra e shumë heronjë të cilët kanë peshë të veçantë në historinë e re, e besa edhe atë më të vjetër, të shekullit të fundit të kombit shqiptar”, tha kryetari Hyseni.
Kreu i Komunës së Gjlanit, më tej vuri në dukje se është tejet e rëndësishme që këto vlera historike, e madje edhe kulturore, t’i trashëgojë ndër brezat dhe të shërbejnë si mësim e inspirim për ata që vijnë pas nesh e ata që jemi tani, që të punojmë për të mirën tonë të përgjithshme.
“Mua më mbetet t’iu falënderoj për organizimin shumë të mirë të aktiviteteve në kuadër të kësaj shtylle të Arteve Pamore, si dhe për prezencës masive, të pjesëmarrjen cilësore me veprat tuaja, pasi njëkohësisht e bëni shumë më madhështor organizimin e “Flakës së Janarit”, për ta ruajtuar njëherit këtë madhështi të kësaj shtylle, i cili manifestim është unik për nga struktura në mbarë hapësirën shqiptare e më gjërë”, theksoi Hyseni.
Një fjalë rasti mbajti kuratori i ekspozitës, skulptori Mal Myrtaj, i cili vuri në dukje se ka qenë një privilegj i madh të jetë përzgjedhës i punimeve konkurruese, pasi ato punime i përkasin artistëve të shquar dhe të dëshmuar të tre brezave krijuesish.
“Veprat të cilat sot i kemi përpara, kryesisht piktura, skulptura, grafika e vizatime, si dhe fotografi artistike, janë vepra që e madhështojnë “Flakën e Janarit”. Ato, thënë simbilikisht “ngrohin janarin e ftohtë””, tha ai duke vlerësuar përkushtimin e pjesëmarësve krijues, si dhe mbështetjen institucionale nga Komuna e Gjilanit, gjegjësisht DKRS-së.
Juria vlerësuese e punimeve konkurruese në edicionin e këtij vitit “Peneli i Flakës 2024”, në përbërje Burim Myftiu, Jalldëze Mustafa dhe Jetullah Sulejmani, në bashkëpunim me nikoqirin, Avni Behluli, ka vlerësuar me unanimitet që vepra e piktorit Gani Salihu – pikturë, të fitojë Çmimin Blerës të Galerisë.
Poashtu, juria vlerësuese ka shpallur edhe rezultatet e punimeve të përzgjedhura fituese “Peneli i Flakës 2024”, e që ka rezultuar të jenë me sa vijon:
Çmimi i parë: Vjosa Bujari Maliqi
Çmimi i dytë: Agron Pollovina
Promotori i këtij eventi, gjegjësisht shtyllës “Peneli i Flakës”, Avni Behluli, duke i bërë një kronologji historisë 33-vjeçare të manifestimit, theksoi se kjo ngjarje që e karakterizon Gjilanin në kuadër të kalendarit kulturor mbarëkombëtarë, është “logoja identitare” e kësja komune dhe e mbarë Kosovës. Ai përshëndeti pjesëmarrësit nga të gjitha trevat shqiptare, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Luginë e Preshevës, Mali i Zil, ndërsa vuri theksin te mbështetja që i ka dhënë Komuna e Gjilanit, gjegjësisht DKRS, si dhe cilësia e punimeve garuese në kuadër të konkursit të shtyllës “Peneli i Flakës 2024”.
Ekspozita me punimet e prezantuara konkurruese do të qëndrojë e hapur për artdashës plot 14 ditë me radhë, deri më 31 janar, kur mbyllet zyrtarisht edicioni i 33-të i manifestimit “Flaka e Janarit 2024”.
Ndërsa, të interesuarit do të kenë mundësi të ndjekin nga afër gjatë këdaj periudhe aktivitete të shumëta në të gjitha shtyllat përkatëse tradicionale, si “Talia e Flakës”, Pena e Flakës” e “Fest Flaka”, sikurse edhe aktivitete pasuruese të këtij edicioni me përzgjedhje të filmave në bashkëpunim me QKK-në, “Xixat e Flakës”, si dhe aktivitete nga fusha e enigmatikës.