Pjesa veriore e Kosovës ende shpenzon rrymë për të cilën banorët nuk paguajnë, por që i ka kushtuar mbi 10 milionë euro KOSTT-it, vetëm dy muajt e fundit.
Gjithë këto fatura të papaguara përbëjnë rreth 6% të totalit që harxhohet në krejt vendin.
Kjo i bie vetëm 2% më pak se Gjilani me rajon.
Nga janari në tetor, përfshirë dhe Mitrovicën Jugore me rajon, në këtë pjesë të vendit janë shpenzuar afër 733 mijë megavatë rrymë. Dhe kjo ende pa filluar dimri, kur kërkesat rriten.
Shpenzuesi më i madh mbetet distrikti i Prishtinës me mbi 1 milionë e gjysmë megavatë, apo rreth 30% të totalit.
Përdorimi i rrymës rritet me të madhe kur afrohemi kah dimri. Pas rajonit kryeqytetas vijnë ato të Ferizajt e Prizrenit që muajin e kaluar e ka shpenzuar 14%, respektivisht 13% të energjisë që vjen nga KEDS-i.
Gjakovarët po dalin se janë më kursimtarët në këtë fushë, bashkë me gjilanasit, distriktet e të cilave kanë përdorur nga 9% të rrymës.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, thotë se konsumimi ka dalë edhe jashtë parashikimeve, sidomos gjatë dimrit kur qytetarët nxehen me pajisje elektrike.
Fatura totale e të gjitha distrikteve brenda një muaji, gjatë stinës së ftohtë, është mbi 30 milionë euro.
Ato mund të rriten për rreth 40% nga prilli i vitit të ardhshëm, pasi që Zyra e Rregullatorit të Energjisë ta rishqyrtojë çmimin e rrymës për shkak të krizës energjetike.