(Një rikujtim për axhën Balë, i cili në një mënyrë të veçantë e sfidoi dhunën serbe, duke bartur plisin dhe flamurin kudo që protestohej për liri e mëvetësi të tokës arbërore).
Bajram Ymeri ka qenë një personazh shumë karakteristik që ka pasur Gjilani për shumë vite. Ai u shqua veçmas gjatë viteve të kundërshtimit të dhunës serbe në Kosovë. Tërë jetën e tij, nuk u nda nga rruga e rezistencës për liri e pavarësi, duke qenë gjithnjë atje ku sfidohej dhuna dhe terrori i pushtetit serb kundër popullit shqiptar të Kosovës.
Me plisin e bardhë në kokë, axha Bajram ishte gjithmonë mes studentëve, mes rinisë shkollore, mes burrave e grave, në manifestime të ndryshme, në gëzime e varrime, kudo. Dëshironte të ndante gjithçka me popullin e vetë, të mirat dhe të këqijat.
I donte të gjithë njësoj. Urrejtje kishte vetëm për armikun.
Një flamur dhe një plis i mbante gjithmonë në gji dhe me këto simbole kombëtare, inkurajonte rezistencën dhe luftën për liri. Pa flamurin kuqezi nuk e bënte asnjë hap. Herë e mbante në supe e herë-herë e fuste në gji, për ta mbrojtur që të mos ia përlyente kush.
Nuk i dëshironte bisedat ku nuk flitej mirë për atdheun. E kishte një mënyrë të tijën për ta shmangur bashkëbiseduesin nga kjo temë. “Shihe grurin sa i mirë, shihi arat, kodrat, ujin…“. Gjithmonë gjente një gjë pozitive për krahasim.
Axha Balë, siç e quanin të gjithë në Gjilan, ishte shembull unikat për energjinë pozitive që reflektonte me pamjen e tij nëpër debate e tubime si dhe për qëndresën e madhe, me të cilën e përballoi dhembjen familjare e kolektive, që ia solli tmerri i luftës së vitit 1999 në Kosovë.
Mjaftonte të ndihej një zë i arsyeshëm kundër dhunës, në cilindo pjesë të Kosovës dhe ai, pa hezitim do t`i bashkëngjitej menjëherë.
Kaptinë e veçantë e jetës së tij, ishte dashuria për librin, shkollën dhe shoqërimi me të rinjtë, kurse këshillën e tij e bazonte te fjalët e Naim Frashërit “Punë, punë…”.
Iku para afër 16 vitesh, i përmbushur në ëndrrën e tij që ta shihte lirinë e Kosovës.