Duke marrë shkas kërkesat e shumta të qytetarëve nëpër stacione policore për t’u informuar për numrin e gjobave të papaguara, Policia e Kosovës ditë më parë ka lansuar një platformë online, raporton KTV.
Por, qytetarët që deri më tash e kanë përdorur këtë aplikacion, nuk kanë gjetur të dhëna të sakta lidhur me numrin e gjobave të shqiptuara. Shqetësuese për ta është edhe siguria e të dhënave personale.
Rreth 61 mijë kërkime janë bërë nga qytetarët për të parë se sa gjoba në trafik i kanë të shqiptuara që nga lansimi i këtij aplikacioni online nga Policia e Kosovës.
Por, për shumë nga ta të gjeturat në këtë aplikacion nuk kanë qenë të sakta.
Njëri nga përdoruesit, Alban Zeneli, thotë se dënimi i vetëm që i ka figuruar në aplikacion ka qenë një gjobë, të cilën ai kaherë e kishte paguar.
Shqetësim tjetër për Zenelin është edhe siguria e të dhënave publike.
Megjithatë, në Agjencinë për Mbrojtjen e të dhënave personale kanë përjashtuar çdo mundësi që ky aplikacion mund të cenojë privatësinë e qytetarëve.
Zyrtarë të saj kanë siguruar se të dhënat e qytetarëve janë të mbrojtura.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka thënë se lansimi i këtij aplikacioni është në fazë testuese dhe po punohet që të përmirësohet rifreskimi i të dhënave, megjithatë kanë përmendur mungesën e një sistemi të të gjitha institucioneve të përfshira në këtë proces.
“Vlen të theksohet se në mungesë të një sistemi të unifikuar të të gjitha institucioneve të përfshira në këtë proces, që përfshijnë: shqiptimin e gjobave nga PK-ja, ndëshkimet/vendimet nga organet e drejtësisë dhe pagesat që realizohen përmes autoriteteve bankare, ekziston mundësia e shfaqjes së ndonjë mosevidentimi të pagesave në kohë optimale, të realizuara nga qytetarët. Ndërsa, sa i përket shqetësimit rreth mbrojtjes së të dhënave personale, ueb-moduli për kontrollin e gjobave në trafik, është në përputhje të plotë me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe të gjitha të dhënat që shfaqen janë të enkriptuara sipas standardeve për enkriptimin e të dhënave.
Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës nëpërmjet telefonit i kanë thënë KTV-së se sistemi online i gjobave është i unifikuar dhe është në kompetencë të Policisë së Kosovës dhe si i tillë, sipas tyre, nuk ka lidhje me gjykatat.