“Nëse duam të jetojmë një jetë të plotë dhe të suksesshme, është thelbësore që t’i shqyrtojmë bindjet tona, si dhe pasojat që vijnë prej tyre.”
Nga: Nijazi Idrizi
Fitorja e Shpëtim Bulliqajt në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 29 nëntorit në Podujevë, nuk ishte spektakolare, as kandidati nuk qe i jashtëzakonshëm, përkundrazi, ka qenë i të njëjtit brumë me rivalin e tij me të cilin i kanë pasur pretendimet e njëjta për dominimin e LDK-së në Llap, shpeshherë të ndërlidhura edhe për interesa të shprehura personale. Ai madje nuk arriti ta artikulojë e as ta promovojë ndonjë ide që mbahet mend. Por pikërisht ky Shpëtim, kështu siç ishte, ua prishi gjumin të gjithë politikbërësve në Kosovë!
Në Llap një pjesë e të rinjve të LDK-së iu bashkuan atyre të VV dhe e sollën një fitore madhështore. Ata së bashku e dhanë edhe një mesazh të rëndësishëm, se për perspektivën e jetës së tyre në Kosovë do të vendosin vet, duke e ndryshuar gjendjen në vend. Këto shpresa duket se ia ka ngjallur qeverisja jetëshkurtër e Albin Kurtit e cila i ka bindur se në Kosovë, me qeverisje të mirë, ka të ardhme.
Kjo fitore e ka tronditur LAN-in e PDK-në dhe ka nxjerr nevojën e vlerësimit të situatës së re, bashkë me hapat që duhet ti ndërmarrin për përballimin e nokdaunit dhe fshehjen e kalamendjes. Dolën të gabuara llogaritë nën tezgë të partive rivale, për ta mundur VV në balotazh.
Pas kësaj goditje, secila parti është e detyruar ta analizoj gjendjen në dy drejtime: mbijetesën dhe konsolidimin afatgjatë, apo përfitimin e momentit dhe agonin.
Për mbijetesë dhe konsolidim afatgjatë, rruga e vetme është të shkohet në zgjedhje. Me këtë rast do të bëhej verifikimi i sondazheve dhe pretendimeve të VV për lëvizjen ekstreme të elektoratit në nivel kombëtar.
Me këtë alternativë, s’ka dyshim që VV do të dal fituese, (edhe po që se partitë tjera do të konkurrojnë si koalicion). Por se a do t’i arrijë VV numrat për ta qeverisur vendin, kjo do të varet nga ”Lista” e Vjosa Osmanit. Nëse ajo struket brenda VV, do të jetë e zorshme të arrihen numrat. Në një rast të tillë, rezultati do ta imponoj koalicionin joparimor me AAK-në e uritur (nëse ajo garon e vetmuar). Por, nëse ajo del me Listë të veten, numrat e saj dhe të VV do të mjaftojnë për një mandat të qëndrueshëm qeverisës.
Në një rast të tillë, LDK do të radhitet pas PDK-së. Këtë situatë mund ta shpëtoj vetëm pajtimi i fraksionit të Vjosa Osmanit, të cilët kanë pritur gjatë reformimin e saj duke u mbajtur peng nga klani i vjetër. Ky klan në Llap e mori goditjen e dytë (pas asaj që pati marr Isa Mustafa në Prishtinë), si vërejtje përfundimtare e cila pritet që në tetor të marr goditje edhe më të rënd në Gjilan, Fushë Kosovë, Istog dhe qytete tjera ku kanë qeverisur gjatë ata. Votuesit e kanë kuptuar se qeverisja në tre mandate, edhe padashur e kapë qytetin dhe i bënë dëm qytetarëve.
PDK në mungesë të lidershipit, do të defaktorizohet dhe do ta ketë të zorshme ti ruaj votat e zgjedhjeve të kaluara, pavarësisht koalicionit apo kthimit të NISMËS, e cila vetëm mund ta ngadalësoj rënien pa kthim.
AAK, përmes mashtrimit dhe kauzave të rrejshme patriotike në dëm të Kosovës, me mashtrim e ka shitur disa herë shtrenjtë lëkuren e vet të parfumosur. Tashti e ka të pamundur fuqizimin e saj. Atë do ta ndjek fati i NISMËS dhe AKR-së.
NISMA dhe AKR, nëse dalin të vetmuara ose sërish së bashku në zgjedhje, nuk mund ta kalojnë pragun, sepse nuk arritën të krijojnë identitet të tyre dhe deri sot mbijetuan duke bërë pazarllëqe me numra. Kjo u pa në zgjedhjet e fundit.
Për shkak të hendikepeve të shumta dhe transparencës së hileve, shkuarja në zgjedhje për këto parti, do të jetë fatale edhe sikur ato të konkurrojnë në bllok si PLAN.
Në një situatë të tillë, kalimi në opozitë do të mund të ishte ilaç për këto parti. Duke qenë në opozitë, reformimi i tyre i domosdoshëm, do të ishte më i lehtë dhe rikthimi në pushtet më i shpejtë. Një shembull të vonuar në Podujevë e dha kandidati i PDK-së Naim Fetahu i cili dha dorëheqje pas humbjes së radhës, duke e ulur % e votave të PDK-së në 12%.
Alternativa tjetër, ajo e përfitimit të momentit dhe agonisë, është riformatimi i qeverisë Hoti ose qeveria e re me PDK-në (Çitaku, Hoxhaj…), ose presidenti i propozuar nga ajo, e cila po duket se është më joshëse. Me këtë alternativë, partitë e kanë mundësinë të mbeten në pushtet të shumtën edhe një vit. Pastaj do të ndodh largimi i tyre me protesta të cilat po motivohen jo vetëm nga VV, por edhe nga budallaqet e disa udhëheqësve të papjekur të partive tjera të cilët e kanë irrituar opinionin.
Zvarritja e zgjedhjes së Presidentit është shenjë se arritja e marrëveshjes për përfshirjen e PDK-së është në prag. Kërkesat e AAK-së dhe NISMËS për Presidentin dhe loja zhvatëse me Grupet Parlamentare, po bëhen për
rritjen e hises së kulaçit. Këto janë pengesa të shpifura të cilat do të zgjidhen me ”modelin kinez të AAK-së” të shtimit të Ministrive.
Por problem do të jetë Lista Serbe me kërkesat e njohura politike. Së paku Asociacioni dhe dy komuna të reja, (Gora dhe Prilluzha), do të jenë pjesë e bisedimeve për marrëveshje koalicioni. Derisa fati i të parës dihet, edhe pëlqimin për komunën e Gorës e ka firmosur vite më parë Enver Hoxhaj, i njëjti fare lehtë do ta firmosë edhe komunën e dytë.
PLAN-i me siguri do ta arrij kompromisin për pushtet. Por, kjo do të ketë pasoja për mbijetesën e disa partive politike dhe sidomos për demokracinë e Kosovës, sepse opozita do të jetë e dobët dhe e pa besueshme, ndërsa një pozitë e fortë është po ashtu kërcënim për të.