Poeti Afrim Demiri me poezinë “Zogu i ujit”, është fitues i Çmimit “Pena e Flakës”, aktivitet letrar që organizohet në kuadër të Manifestimi kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2025”, që po mbahet në Gjilan.
Ndërsa në kategorinë “Juvenis Pena” (për krijuesit e rinj deri ne 25 vjeç), që është risia e “Penës…”, së këtij viti, poetja Erdë Mehmeti me poezinë “Lutem”, është fituese e çmimit.
Juria vlerësuese e Orës së Madhe Letrare, në përbërje: Halil Matoshi, Albina Idrizi dhe Fatos Rushiti, përzgjodhën poezitë fituese të poetëve përkatës, çmime këto që fituesve do t’u dorëzohen në aktivitetin përmbyllës të “Flakës së Janarit 2025”, në “Gala Mbrëmje” që mbahet po sot.
Në hapje të Orës Letrare, nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, i ka falënderuar pjesëmarrësit për begatim të kësaj ngjarje kulturore.
“Flaka e Janarit, që çdo vit na bashkon për të nderuar vlerat e popullit tonë, është më shumë se një shenjë e thjeshtë e dimrit. Ajo është një frymëzim që ndizet në muajin e parë të vitit dhe që na kujton përkushtimin dhe sakrificat që janë bërë për liri, për atdheun dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë. Që nga fillimet e saj, Flaka e Janarit ka simbolizuar një forcë të pashtershme, një flakë të gjallë që ka ndriçuar udhën tonë përballë sfidave të mëdha”, ka thënë nënkryetarja e komunës.
Ajo tha tutje se, në këtë 34-vjetor, kujtojmë gjithashtu një tjetër simbol të këtij manifestimi: Pena e Flakës së Janarit. Kjo penë është një mjet i fuqishëm, një shprehje e ideve dhe angazhimeve tona për një të ardhme më të ndritur. Ajo është një thirrje për të shkruar, për të dëshmuar dhe për të lënë pas një pasuri kulturore dhe historike që do të shërbejë për brezat që do të vijnë.
“Në këto 34 vite, Flaka e Janarit ka kaluar përmes shumë sfidash, por asnjëherë nuk ka humbur dritën e saj. Ashtu si flaka që ndriçon natën e errët, ashtu edhe pena e çdo krijuesi është një dritë që i ndihmon brezat të shohin më qartë, të kuptojnë më thellë dhe të ndërtojnë një botë më të bukur. Për këtë arsye, ne sot e vlerësojmë me nder dhe respekt Penën e Flakës së Janarit, si një simbol të fuqisë krijuese të çdo individi dhe si një thirrje për të mos harruar kurrë se cila është rruga jonë, çfarë kemi kaluar dhe për çfarë mund të arrijmë, bashkë, përmes përkushtimit dhe angazhimit”, ka thënë nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku.
Për fund, nënkryetarja kërkoi nga të gjithë ta mbajmë gjithmonë ndezur “Flakën e Janarit” dhe ta përdorim “Penën e Flakës”, për të shkruar një të ardhme që do të jetë një shembull për pasardhësit tanë.
Përndryshe, Ora e Madhe Letrare u mbajt në Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli”, nisi me deklamimin e një poezie të Ali Huruglicës, derisa 16 poetë të përzgjedhur paraprakisht në bazë të thirrjes publike, i lexuan poezitë e tyre në garë për çmimin “Pena e Flakës”, (për krijuesit e dëshmuar) dhe 5 poetë në kategorinë “Juvenis Pena” (për krijuesit e rinj deri ne 25 vjeç).
Ja lista e poetëve që lexuan në Orën e Madhe Letrare “Pena e Flakës”, në të dyja kategoritë.
“Pena e Flakës”: Adem Xheladini, Sonila Strakosha, Zana Pira, Afrim Demiri, Ajne Iberhysaj, Selvete Abdullahu, Ramë Oraca, Klejda Plangarica, Arsim Halili, , Hava Muçollari, Arlind Farizi, , Selajdin Shabani, Shqipe Hasani, Minivere Muja Maka, Nurie Maliqi Baduni dhe Nazmije Hasani,
“Juvenis Pena”: Doruntinë Elezi, Dion Dragaj, Erdë Mehmeti, Mifeta Buhiqi dhe Blinera Hajdari.
Të gjitha poezitë e lexuara u përcollën nën tingujt magjik të violonçelit, luajtur nga profesoresha Arzije Jusufi.
Përndryshe, pjesë e aktivitetit të sotëm ishte edhe bërja publike e rezultateve të konkursit anonim letrar të “Flakës së Janarit 2025”.
Juria e konkursit anonim letrar në përbërje, Ilire Zajmi, Liridonë Mehmeti dhe Majlinda Bregasi, kanë vlerësuar:
Në poezi:
Shpërblimi i parë i jepet poezisë: Kthimi në Eden, shifra: 2001 Poezi
Shpërblimi i dytë poezisë: Kalendar me baltë, shifra: Prilli 1999
Shpërblimi i tretë poezisë: Unëdheunë shifra Rumi
Për botim janë përzgjedhur edhe shtatë poezi.
Në prozë:
Shpërblimi i parë i jepet tregimit: Konserva, shifra: Prilli
Shpërblimi i dytë: Gjahu i balsamosur, shifra: Gjahu
Shpërblimi i tretë: Dritë-hijet e harresës, shifra Dritë-hija.
Për botim janë përzgjedhur edhe shtatë tregime.
Përndryshe, manifestimi i sivjetmë i “Flakës së Janarit 2025”, përmbyllet sonte me “Gala Mbrëmjen” e cila mbahet në “Vali Ranch” Resort (ora 18:00).