Kryediplomatja e Kosovës Donika Gërvalla -Schwarz në fjalën e saj në Forumin e Dubrovnikut ka bërë një vlerësim për Bashkimin Europian duke thënë se ky union është tigër prej letre dhe nuk mund të ofrojë siguri pa ndihmën e SHBA’së dhe NATO’s.
Gërvalla, këtë konstatim e ka bërë duke e përdorur një fjali të një gazetari gjerman, pa ia përmendur emrin.
Ndaj kësaj ka reaguar emisari i BE’së Miroslav Lajcak duke ia kthyer Gërvallës.
“Gjëja e parë që dua të them është se BE është larg të qenurit perfekt, por është më e mira që kemi. Është unioni më i suksesshëm i shteteve. Nuk ka bashkim tjetër shtetesh në këtë planet qe ka sjellë stabilitet politik, prosperitet ekonomik, kohezion social më të madh dhe respekt për të drejtat e njeriut. Kështu që mendoj se hyrja në BE është arritje dhe ëndërr e vendeve që trokasin në dyert e BE’së” ka thënë Lajçak.
“Jemi rreshtuar për rreth 90 për qind me Perëndimin kur bëhet fjalë për Ukrainën. Të tjerët që i kemi përreth po e ndihmojnë Rusinë në agresionin e saj për pothuajse dy vjet tashmë pa sanksione nga Bashkimi Evropian. Pyetja kyçe është për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është se a mund dhe a është Bashkimi Evropian unioni që mund të garantojë siguri dhe paqe në Evropë? Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet. Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim në union dhe pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një ‘Paper Tiger’ në aspektin e sigurisë. Për shkak se ju e dini këtë, kërkoni paqe në vazhdimësi. Mirëpo, kjo është e rrezikshme. Paqësimi i BE-së me Rusinë ka bërë që Putini të përshkallëzojë”, ishin fjalët e Gërvallës sot.