Zyrtarët policorë të Kosovës pritet që në të ardhmen të pajisen me kamera për trup. Kështu bëri të ditur sot u.d. i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Fehmi Hoti, gjatë një takimi me Tamra Greig, drejtoreshë në Zyrën për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit (INL), e cila po ashtu ishte e shoqëruar nga Kimberly Riffe atasheun e DOJ-ICITAP, nga Ambasada e SHBA-së.
Në njoftimin për media, bëhet e ditur se në këtë takim u diskutuan edhe tema në fushën e sigurisë
“Policia e Kosovës do të vazhdojë të punojë për ta forcuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet tashmë të mira me partnerët ndërkombëtar, e në veçanërisht me INL-in dhe ICITAP-in, të cilëve Policia u është mirënjohëse për mbështetjen dhe përkrahjen e pakursyer. Takimi rezultoi me zotimin për vazhdimin e bashkëpunimit dhe partneritetit të fortë në mes komuniteteve për zbatim të ligjit në Kosovë dhe SHBA”, thuhet në njoftim. /Teve1.info/