Që nga themelimi i Policisë së Kosovës, 20 vjet më parë, deri më tani, 21 pjesëtarë të saj kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës, derisa numri i policëve të lënduar në kryerje të detyrës, konsiderohet të jetë më i madh.
Megjithatë, policët në Kosovë vazhdojnë të punojnë pa sigurim shëndetësor dhe jetësor.
Kërkesa për sigurim shëndetësor dhe aksidental për Policinë e Kosovës është e kahmotshme, por që deri më tani, asnjë nga qeveritë e deritashme të Kosovës nuk ka arritur ta plotësojë.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli në një prononcim për lajmi.net thotë se u është premtuar që deri në vitin e ardhshëm do të këtë sigurime shëndetësore, megjithëse thotë se këtë pikë nuk e kanë futur në kërkesat e tanishme që i kanë adresuar qeverisë.
Por, përkundër premtimeve, Tasholli nuk beson që çështja e sigurimeve do të kryhet vitin e ardhshëm.
“Ne çdo herë e kemi kërkuar sigurimin shëndetësor, por tani kërkesat që i kena pas, si kushtëzim nuk e kemi shti sepse i kemi dhënë prioritet orëve shtesë, që kemi ka 500 orë shtesë, pakon, ndërrimin e natës dhe shujtën, këto tria janë të realizuar, shujta ka mbet me u pa çka po bëhet. Mirëpo na kanë premtuar se deri në viti i ri do të shqyrtohet fort kjo punë dhe na kanë premtuar se që nga viti i ri do të kemi sigurime shëndetësore. Por unë po them një gjë, nuk po e besojë fare. Por, premtim ka e nuk di, kaq është”, ka thënë Tasholli për lajmi.net
Ndryshe, Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në përmbushjen e vizionit dhe misionit të saj, në zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës së vendit, garantimin e rendit dhe sigurisë, në mënyrë që të ofrojë një shërbim efikas policor dhe profesional ndaj të gjithë qytetarëve.
Policia e Kosovës ka qenë shumë aktivisht e angazhuar edhe gjatë kësaj periudhe të fundit të pandemisë, teksa kanë pasu angazhime 12-orëshe.