Gjithçka nisi në vitin 2003, në Gjilan. Ajo ishte police shqiptare, ndërsa ai polic gjerman, i angazhuar në mision në Kosovë. Një njohje mes kolegësh u shndërrua në një histori dashurie që do t’i bashkonte për gjithë jetën.
Pas përfundimit të misionit në Kosovë, Thorsten vazhdoi karrierën e tij në Policinë Gjermane. Ai punoi në Zyrën Shtetërore të Policisë Kriminale (LKA), u avancua në detyrë dhe u specializua në fushën e teknologjisë informative.
Në vitin 2007, familja e Ganimetes dhe Thorstenit u zgjerua me ardhjen në jetë të vajzës së tyre, Aurelës. Ajo u bë qendra e jetës së tyre familjare, ku dashuria, përkushtimi dhe traditat shqiptare zinin gjithmonë një vend të veçantë.
Me kalimin e viteve, Kosova për Thorstenin u bë shumë më tepër sesa vendi ku kishte nisur historia e tij e dashurisë. Ajo u shndërrua në atdheun e tij të dytë. Këtu kishte miq, familje dhe një shtëpi ku kishte dëshirë të jetonte pas pensionimit, së bashku me bashkëshorten e tij, Ganimeten.
Por planet e tyre për të ardhmen u ndërprenë papritur. Më 26 shtator 2026, Thorsten pësoi arrest kardiak, ndërsa tri ditë më vonë ndërroi jetë.
Dëshira e tij e fundit kishte qenë që të varrosej në Kosovë, vendin që e kishte konsideruar atdhe të dytë. Më 1 tetor, bashkëshortja e tij, Ganimetja, ia përmbushi këtë amanet.
Thorsten u varros në Gjilan, në qytetin ku 23 vjet më parë kishte nisur historia e dashurisë që do të mbetej pjesë e jetës së tyre përgjithmonë.










