Ka më shumë se 3 vjet që Remzi Rashica nga Vushtrria, jeton me këmbë të amputuar. Ai theu këmbën e majtë në qershor të vitit 2018, teksa punonte në oborrin e shtëpisë së tij.
Polici 59-vjeçar dyshon se gjatë trajtimit në Klinikën Ortopedike në Qendrën Klinike Universitare (QKUK), i ishte infektuar këmba.
“Më kanë operuar, shumë ka zgjatur , 4-5 orë më duket. Më kanë çuar në dhomën time. E kam dëgjuar një mjek, vetë ka thënë ai, por nuk e di cili është… po frikësohem, ishalla nuk i infektohet. Për çfarë arsyeje, nuk e di. Veç e kam dëgjuar me veshët e mi, tha: Ishalla nuk infektohet”, rrëfen ai për Radion Evropa e Lirë.
Ai thotë se vetë mjekët që e kishin nën mbikëqyrje i rekomanduan pas operacionit që të shkojë urgjent në ndonjë klinikë të specializuar për infeksione, duke i ofruar shpjegime vetëm përmes një fletë-lëshimi.
Dokument të ngjashëm i lëshoi edhe Kolegjiumi i Mjekëve të Ortopedisë, duke thënë se pacientit i nevojitet trajtim jashtë vendit.
Me gjithë përpjekjet e Radios Evropa e Lirë për të biseduar me mjekë dhe drejtues të Klinikës së Ortopedisë, që mund të jenë në dijeni për rastin, ata nuk pranuan të flasin.
Pas largimit nga Klinika e Ortopedisë, Remziu u zhvendos në një klinikë të specializuar për infeksione në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Dhjetëra operacione në Turqi
Remziu tregon se kishte qëndruar më shumë se dy javë në një klinikë në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Mirëpo, më shumë se dy javë ekzaminime atje nuk i sollën asnjë ndryshim. Dhe, rruga e trajtimit vazhdoi në një spital të Turqisë.
“Dy muaj [në Turqi] janë munduar, nuk mundën… Pas dy muajsh, nuk e di saktë 50-60 ditë, erdhi mjeku dhe më tha: po më vjen keq, a dëshiron të jetosh pa këmbë apo të vdesësh me këmbë? I thashë: jo, dua të jetoj. Dhe po të tregoj, unë mezi prita ta heq këmbën se u lodha”, tregon ai.
“Herën e dytë, se dy herë ma kanë hequr dhe, në fund, ka ardhur më ka thënë ai mjeku kryesor, po më vjen keq, duhet edhe katër gishta, me gishta e maste se nuk e kuptoja, sepse më tha ke infektim prapë. I thashë: a mund të më tregosh, dua ta di se si ka ardhur deri tek infektimi. Herën e parë, tha, kur je operuar, të është infektuar këmba”, thotë ai.
Remziu thotë se kurrë nga askush nuk mori përgjigje për shkakun e infeksionit.
“Një javë para se të më lëshojnë nga spitali, një mjek ka qenë i ri, shumë i mirë, shumë e falënderoj… Më tha: ‘Pa këmbë po shkon në shtëpi, por më mirë që po shkon pa këmbë në shtëpi, se edhe pesë ditë po të qëndroje në spital atje [në Prishtinë], ti nuk do të ishe gjallë”, tregon 59-vjeçari.
Tre vjet pas aksidentit, Remzi Rashica, baba i katër fëmijëve, thotë se është duke pritur të vendosë protezën në vend të këmbës së majtë dhe t’i kthehet sërish punës si polic.
Mbi 350 pacientë të infektuar gjatë vitit 2020
Gjatë vitit të kaluar, në Klinikën e vjetruar të Ortopedisë, ku Remzi Rashica thotë se u infektua, besohet se kanë marrë infeksione brendaspitalore edhe pacientë të tjerë.
Sipas raportit të Ekipit për Kontroll të Infeksioneve Brendaspitalore në QKUK, gjatë vitit 2020, në këtë klinikë kanë marrë infeksione 11 pacientë.
Sipas udhëheqëses së këtij ekipi, infektologes Hatixhe Gashi, 356 pacientë në total janë infektuar në klinika të ndryshme të QKUK-së, vitin e kaluar.
Gashi thotë për Radion Evropa e Lirë se një nga infeksionet më të shpeshta është Sepsa. Sepsa është një formë e rëndë e infeksionit që përhapet përmes gjakut dhe mund të shkaktojë dëme afatgjate në mushkëri dhe organe të tjera.
“Arsyet janë të shumta. Mosrespektimi i masave për parandalimin e infeksioneve brendaspitalore, duke pasur parasysh kushtet tona që i kemi nëpër klinikat tona… Nëse nuk respektohen nga stafi masat higjienike, larja dhe dezinfektimi i duarve, i lëkurës dhe i mukozave që kanë mundësi të vijnë në kontakt me pacientin, nëse nuk bëhet ajrosja e mirë e vendeve të punës, pastrimi dhe dezinfektimi i hapësirave punuese, nëse nuk bëhet dezinfektimi edhe sterilizimi i mirë i pajisjeve mjekësore, të gjitha këto janë faktorë që i kontribuojnë shfaqjes së një infeksioni spitalor”, thotë Gashi.
Klinika me rrezikun më të lartë, sipas Gashit, është ajo e Mjekimit Intensiv Qendror. Në vitin 2020, në këtë klinikë janë pranuar 417 pacientë, prej të cilëve 155, apo mbi 37 për qind e tyre, kanë pësuar infeksione spitalore.
“Janë pacientët… përveç gjendjes së përgjithshme të rëndë, të imuno-kompromituar, këtu është edhe kohëgjatësia e qëndrimit të pacientëve në klinikë një nga faktorët që i kontribuon përhapjes së infeksioneve brendaspitalore te ta. Këto infeksione barten… Kryesisht, rruga kryesore e përhapjes është me anë të kontaktit direkt”, thotë Gashi.
Pacientët janë infektuar edhe në klinikat tjera. Në Klinikën e Neonatologjisë, nga 1.274 pacientë të pranuar, prej tyre 150 kanë pasur infeksion brendaspitalor, në Klinikën e Kirurgjisë Plastike nga 406 pacientë, 35 prej tyre kanë qenë me infeksione brendaspitalore, derisa 5 pacientë të tjerë kanë marrë infeksione në Klinikën e Nefrologjisë.
Infektologia Gashi thotë se infeksionet e tilla kanë kosto shumë të lartë të shërimit dhe rrisin vdekshmërinë.
Kurse, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga infeksionet brandaspitalore, çdo vit, pësojnë edhe mjekët.
“Shumica [e infeksioneve] janë në sallë të operacionit dhe këto janë të ndërlidhura ngushtë me procesin e vaksinimit kundër hepatitit dhe infeksione të ndryshme që bëhen me gjëra të prekshme. Një përqindje shumë e madhe, që tregon për kushtet mizore, të cilat janë në spitalet tona. Ne e kemi një faktor që është çrregullues komplet, e që është fluksi i familjarëve të pacientëve brenda spitalit”, thotë Sejdiu.
Në raportin për vitin 2020, Ekipi për Kontroll të Infeksioneve Brendaspitalore ka rekomanduar një varg masash për të ulur rrezikun e infeksioneve, përfshirë rritjen e nivelit të higjienës, klimatizimin qendror në salla të operacionit dhe menaxhimin e mbeturinave sipas standardeve.
Gjatë vitit 2020, në 37 klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë shtrirë rreth 129 mijë pacientë./REL