Policia e Kosovës, ka njoftuar se ka arrestuar pesë persona të dyshuar të cilit përmes rrjetit social “Tiko Tok”, kanë shpërndarë video se bëjnë shitjen e parave të falsifikuara si kartëmonedha dhe monedha metalike.
Policia thotë se arrestimi i tyre është bërë të martën më 29 gusht pas një hetimi disa mujor dhe me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Viti.
“Gjatë hetimit profesional janë siguruar prova se personat e dyshuar me iniciale(F. V.) mashkull/kosovar, (S. A.) mashkull/kosovar, (A. V.) mashkull/kosovar, (B. R.) mashkull kosovar dhe (E. V.) mashkull/kosovar,janë marrë me veprimtari kriminale ku kanë mashtruar dhjetëra persona kinse do të ju shesin para të falsifikuara, derisa në anën tjetër personat që kanë tentuar të blejnë para të falsifikuara, kanë kryer vepër penale nga neni 296 paragrafi 4 i KPRK-së. Vlera e përfitimit që këta persona kanë përfituar me anë të mashtrimit është rreth njëzet mijë(20,000) euro”, thuhet në në komunikatën e PK-së.
Policia ka bërë të ditur se kanë kryer edhe bastisje në shtëpitë e të dyshuarëve ku janë sekuestruar : një granatë dore, një armë automatike, një karikator i armës, pesëdhjetë e dy fishekë, një telefon mobil.
Të dyshuarit janë dërguar në stacionin policor dhe janë intervistuar në prezencë të avokatëve të tyre mbrojtës dhe të njëjtit me aktvendim të prokurorit të lëndës dërgohen në mbajtje për 48 orë.