Një aksion policor është duke u zhvilluar nga orët e hershme të mëngjesit në rajonin e Gjilanit.
Në tre lokacione ku janë kryer bastisjet janë gjetur prova materiale që dëshmojnë se të dyshuarit janë marrë me lojëra të fatit.
Këtë për Reporteri.net e kanë konfirmuar nga Prokuroria e Gjilanit.
“Aksioni i sotshëm është vazhdimësi e aksionit të Karaçevës, i cili është zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Themelore në Gjilan. Janë realizuar bastisje në tri lokacione, në Ferizaj, në fshatin Muqivërc dhe fshatin Petrovc. Me urdhër të prokurores së rastit është ndaluar për 48 orë i dyshuari A.TH., i cili ka qenë në kërkim që nga fillimi i këtij aksioni, për shkak të dyshimit se është përfshirë në veprën penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Gjilanit për Reporteri.net.
Gazeta ka pyetur edhe në Policinë e Kosovës për aksionin në fjalë, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka marrë përgjigje.
Kujtojmë se pak javë më parë u arrestuan edhe tre zyrtarë policor në rastin e Karaçevës.
Numri i të arrestuarve në ketë rast ka shkuar më shumë se 65, përfshirë këtu bosët e kazinove, zyrtarë policor, qytetarë të cilët dyshohen se përmes rrugëve ilegale kishin kontrabanduar kafshë të shumta.
Në shtatorin e vitit të kaluar ishin rrënuar 12 objekte në fshatin Karaçevë. /Reporteri.net/.