Policia e Gjilanit nis fushatën “Bashkësi e Sigurt pa Zjarre”, apel për kujdes gjatë sezonit veror
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka nisur zbatimin e fushatës sensibilizuese “Bashkësi e Sigurt pa Zjarre”, me synim parandalimin e zjarreve në ambiente të hapura gjatë sezonit veror.
Fushata po realizohet nga njësitë policore sektoriale në bashkëpunim me Komitetet Lokale për Siguri Publike, njësitë komunale të zjarrfikësve dhe partnerë të tjerë lokalë, duke u përqendruar kryesisht në zonat rurale të rajonit të Gjilanit, të cilat konsiderohen më të rrezikuara nga shpërthimi i zjarreve.
Në kuadër të aktiviteteve, zyrtarët policorë dhe përfaqësuesit komunalë kanë zhvilluar takime me qytetarë, fermerë dhe banorë të këtyre zonave për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e parandalimit të zjarreve dhe mbrojtjes së mjedisit.
Gjithashtu, janë shpërndarë postera informues me mesazhe vetëdijesuese për pasojat që shkaktojnë zjarret, rëndësinë e ruajtjes së mjedisit, si dhe për sanksionet ligjore që parashihen ndaj personave që ndezin zjarre në kundërshtim me ligjin.
Sipas Policisë së Kosovës, projekti tashmë ka nisur të zbatohet nga të gjitha stacionet policore në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan dhe do të shtrihet në të gjithë territorin që mbulon ky rajon.
Autoritetet kanë bërë të ditur se aktivitetet parandaluese do të vazhdojnë gjatë gjithë verës, me qëllim rritjen e sigurisë publike dhe mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.
Policia ka paralajmëruar se nuk do të tolerojë asnjë veprim të kundërligjshëm që shkakton zjarre në ambiente të hapura. Sipas saj, ndaj çdo personi që rrezikon jetën e qytetarëve, shkakton dëme materiale apo cenon mjedisin përmes ndezjes së zjarreve, do të ndërmerren masat e parapara me legjislacionin në fuqi.

