Policia e Kosovës ka njoftuar se në vazhdën e angazhimeve për ofrim të sigurisë dhe parandalim të veprimtarive kriminale, mbrëmë, gjatë natës, në veri të vendit, ka ndaluar një automjet (me targa të Sllovenisë), me të cilin ishin duke qarkulluar dy persona meshkuj serbë, shtetas të Serbisë.
Dy personat e dyshuar janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor, pasi gjatë kontrollit të automjetit që drejtonin janë gjetur dhe janë konfiskuar disa pajisje të kundërligjshme, përfshirë maska kamuflazhi, emblema me simbole nacionaliste, dokumentacione etj, njofton Polcia.
Dëshmitë e konfiskuara në cilësi të provave materiale, të cilat dyshohet se mund të përdoren për veprime të dhunshme janë:
një (1) shufër metalike (policore),
një (1) maskë kamuflazhi,
disa thika,
disa emblema me simbole nacionaliste (4 S) dhe flamur serb (4 S),
disa lloje të dyshuara të substancave narkotike,
telefona celularë,
sprej të ndryshëm,
sfera metalike,
lidhëse plastike,
një (1) automjet,
një (1) kartelë e veteranëve të luftës së Serbisë, dhe
një (1) kartelë të akademisë për siguri e Serbisë.
një (1) çekan etj.
Pas intervistimit, ndaj dy personave të dyshuar, me vendim të prokurorit kompetent, është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
Policia e Kosovës thotë se do të vazhdojë të mbajë një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim, si dhe do të ndërmarrë masa ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme, që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin në vend.