Policia e Kosovës, bazuar në vendimin e Qeverisë të muajit qershor i cili ka të bëjë me kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme policore në zbatim të këtij vendimi.
Sipas PK-së, ashtu siç parashihet me vendim, nga 01 gusht 2022 çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, do të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një dokument hyrje/dalje që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë.
Dokumenti hyrje/dalje do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore.
“Me qëllim të zbatimit të vendimit, mundësimit të pajisjes më të shpejtë me dokument hyrje/dalje për qytetarët që kanë nevojë, shmangies së pritjeve dhe mundësimit të qarkullimit më të lehtë kufitar, Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme policore, si në aspektin e burimeve njerëzore, po ashtu edhe në ato teknike e logjistike”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës thotë se sipas detyrës do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet kompetente në interes të zbatimit të vendimit dhe të të gjithë qytetarëve pa dallime.
PAJISJA ME DOKUMENTIN PËR HYRJE-DALJE
Çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës nga data 1 gusht 2022 me dokument identifikimi personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, do të pajiset me Dokument hyrje/dalje.
Dokumenti për hyrje/dalje do të zëvendësojë dokumentin e identifikimit personal gjatë hyrjes dhe qarkullimit në territorin e Republikës së Kosovës, si dhe për shfrytëzim në institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës.
Dokumenti për hyrje/dalje do të lëshohet në të gjitha pikat e kalimit kufitar tokësor dhe ajror.
Dokumenti për hyrje/dalje ka afat vlefshmërie nëntëdhjetë (90) ditë.
Me dokument për hyrje/dalje pajisen edhe personat e moshës nën 16 vjet, të cilët nuk posedojnë dokument identifikimi, me kusht që të kenë me vete certifikatën e lindjes me fotografi.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës muajin e kaluar ka marrë vendim që të aplikojë reciprocitet ndaj Serbisë për letërnjoftim.
Sipas vendimit, qytetarët serb që hyjnë në Kosovë do të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve zyrtare të identifikimit.
Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore.