Policia e Kosovës ka filluar hetimet për kompaninë “B.S.B. Aviation” nga Prizreni, e cila në bashkëpunim në bashkëpunim me kompaninë “O.B.M Aviation” nga Gjermania ka premtuar 2000 vende pune në Gjermani për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Lajmin e konfirmoi për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.
Ai tha se me këtë rast po merret Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e cila është duke i trajtuar në aspektin policor.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit i ka këto informacione dhe të njëjtat është duke i trajtuar në aspektin policor”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkaq, të mërkurën kompania “B.S.B. Aviation”, nga Prizreni mblodhi në shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha”, shumë qytetarë nga e gjithë Kosova për t’ua treguar kushtet dhe mënyrën e punësimit në Gjermani.
Ndryshe, një ditë më parë në lidhje me këtë rast ka folur edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, i cili tha se po merren organet kompetente.
“Organet kompetente janë në proces, por nuk po paragjykojmë diçka tash, se pse është e vështirë të thuhet menjëherë diçka, por organet kompetente janë në proces. Me siguri do të kemi ndonjë konfirmim se çka po ndodh”, tha Haradinaj.