Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të suksesshëm anti-terrorizëm në orët e para të së enjtes. Bëhet fjalë për dy raste të ndara – Malishevë dhe Fushë Kosovë – ku janë kryer kontrolle.
Janë arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari që lidhen me nxitjen e përçarjes dhe mosdurimit si dhe për shpërndarje e propagandës dhe ideologjisë për organizata terroriste, duke përdorur rrjetet sociale.
Policia njoftoi të enjten se operacioni është zhvilluar nga zyrtarët e Drejtorisë Kundër Terrorizmit të Policisë së Republikës së Kosovës, në koordinim me prokurorin kompetent të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
“Operacioni policor ka përfshirë dy raste të ndara, që kanë rezultuar me tri kontrolle të vendbanimeve në Fushë Kosovë dhe Malishevë, si dhe dy arrestime të personave të dyshuar, mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në ‘nxitja e përçarjes dhe mosdurimit’ dhe shpërndarje e propagandës dhe ideologjisë për organizata terroriste, duke përdorur rrjetet sociale”, thuhet në njoftim e Policisë së Kosovës.
Sipas Policisë, të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.