Policia e Kosovës ka reaguar ndaj një shkrimi të publikuar në një portal, në të cilin thuhet se PK përgjon familjet e Grupit të Kumanovës.
Lidhur me këtë, PK përmes një reagimi thotë se nuk kanë bërë asnjë përgjim pa poseduar urdhëresë nga organet e drejtësisë.
Lexoni më poshtë reagimin e plotë të PK-së:
Duke e njohur dhe respektuar të drejtën e çdo personi për t’u shprehur dhe deklaruar, Policia e Kosovës (PK), me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, reagon ndaj shkrimit të publikuar në portalin “botapress.info” të titulluar. “Skandaloze: AKI e Policia e Kosovës përgjon familjet e Grupit të Kumanovës, ja reagimi i Komandant Malishevës! ” dhe sqaron si në vijim:
Institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës janë kredibile, në zbatim të ligjit dhe në respektimin e plotë të të drejtave themelore të njeriut, ku të gjitha veprimet ndërmirren konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese.
Po ashtu, Policia e Kosovës në asnjë rast të vetëm nuk bënë përgjime ndaj askujt, pa poseduar urdheresë të organeve të drejtesisë
Ndërsa për hirë të sqarimit dhe demantimit të këtij shkrimi jo të drejtë, njoftojmë se nuk është ndermarr asnjë aktivitet, veprim, masë, apo kryerje e asnjë përgjimi i personave apo familjarëve në rastin e ashtuquajtur të grupit Kumanova, siç potencohet në shkrimin e publikuar.
Sigurojmë opinionin e gjerë se përgjimi i telekomunikimeve realizohet vetëm në pajtim me legjislacionin në fuqi, të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, dhe Ligjit për Përgjimin e Komunikimeve Elektronike Nr. 5/L-030, si dhe gjithëherë bazuar në urdhra të ligjshëm të Gjykatës kompetente.
Angazhimi dhe përkushtimi i institucioneve të sigurisë së RKS-së do të vazhdoj të jetë besimi i qytetarëve ndaj tyre, dhe në asnjë rrethanë pretendimet si këto nuk do të zbehin imazhin dhe përkushtimin e madh institucional për t’i shërbyer vendit.
Policia e Kosovës në bashkërëndim me institucionet tjera të sigurisë në Republikën e Kosovës, mbetet e përkushtuar në realizimin e të gjitha detyrave dhe obligimeve ligjore dhe kushtetuese, prandaj konsiderojmë se opinioni publik duhet të informohet drejtë dhe korrekt, dhe në asnjë rast të vetëm të mos bie pre e dezinformatave të ndryshme.