Drejtoria për Policimin në Bashkësi dhe Preventivë, dhe ajo kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore në bashkëpunim me ICITAP-in amerikan kanë organizuar tryezën me temën “Ndihmo në parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz dhe parandalo dhunën në familje”.
“Në këtë tryezë morën pjesë zyrtarë nga Kuvendi Komunal në Graçanicë, komandanti i stacionit Policor në Graçanicë, zyrtarë nga Qendra për punë sociale, pjesëtarë të FSK-së, disa OJQ nga komuna e Graçanicës, profesorë dhe nxënës nga Shkolla e Mesme e Komunikacionit në Graçanicë si dhe qytetarë nga Komuna e Graçanicës. Nga panelistët e kësaj tryeze janë paraqitur këndvështrime profesionale sa i përket këtyre dukurive dhe pasojat që sjellin këto dukuri për komunitetin në përgjithësi. Nga pjesëmarrësit janë paraqitur detyrat, obligimet dhe përgjegjësitë ligjore gjatë trajtimit të këtyre rasteve”, shkruan në komunikatën e Policisë.
Të pranishmit kishin mundësi të parashtronin pyetje lidhur me trajtimin e rasteve të trafikimit me qeniet njerëzore dhe dhunës me familje.
“Përmes kësaj tryeze Policia e Kosovës ka bërë thirrje te të gjithë qytetarët të cilët kanë njohuri për rastet e trafikimit me qenie njerëzore dhe rastet e dhunës në familje të raportojnë Policinë e Kosovës në numrat e saj pa pagesë, 192, 080011112, 0800199999, mirëpo edhe në adresën elektronike info@kosovopolice.com, antitrafikim@kosovopolice.com, në mënyrë që të gjithë së bashku të kontribuojmë në parandalimin e dukurive negative dhe shqetësuese për shoqërinë në përgjithësi” ,njofton Policia e Kosovës.