Pas aferave të bujshme në lidhje me ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, dhe Faruk Mujkës, kryeshef i Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike ‘Ibër-Lepenci’, të dy njerëz të partisë në pushtet, tash raportohet në media se hetuesit e këtyre rasteve janë degraduar nga Policia e Kosovës.
Në zyrën e Prokurorisë Speciale të Kosovës ku sot shkoi ministrja në detyrë e Tregtisë, Rozeta Hajdari, do të duhej të ishte edhe rreshteri në Njësinë e Veçantë Hetimore brenda Policisë së Kosovës, Idriz Gashi. Megjithatë, për dallim prej herave të tjera kur aty ishte edhe hetuesi Gashi, sot nuk ishte situata e njëjtë.
Rreshteri që deri më tash ishte pjesë e Njësisë më të rëndësishme brenda Policisë që heton korrupsionin e profilit të lartë, u largua nga kjo njësi. Si rezultat, edhe nuk mund të ishte pjesë e intervistimit të Rozeta Hajdarit për rastin e Rezervës Shtetërore, pavarësisht se gjithë hetimin, e kishte inicuar vetë, që nga ditët e para.
Gazeta Nacionale ka mësuar ekskluzivisht se rreshteri Idriz Gashi është degraduar nga Policia e Kosovës, me një vendim të drejtorit të Përgjithshëm, Gazmend Hoxha. Kjo, një vit pas hulumtimit të Nacionales, për vendosjen në një listë të largimit të pesë hetuesve, të cilët kishin hetuar aferat më të njohura korruptive të pushtetit. Madje, ky nuk është rasti i vetëm. Nacionale ka mësuar se nga Njësia e Veçantë Hetimore është larguar edhe një hetues tjetër, që kishte qenë pjesë e ekipës hetimore me numrin 6, të cilën e udhëhiqte rreshteri Idriz Gashi.
Bazuar në informacionet që ka siguruar Nacionale, rreshteri Idriz Gashi që kishte hetuar edhe afera të tjera të njohura korruptive si rasti i Nagip Krasniqit, apo i Faruk Mujkës, është degraduar skajshmërisht me një vendim të ditëve të fundit. Nga një rreshter e hetues që ka trajtuar dyshimet korruptive në vlera miliona euro, tash Gashi është dërguar në Skënderaj si Mbikëqyrës i Ekipit Patrullues.
Sipas një vendimi të cilin e ka parë gazeta Nacionale, kjo vendimmarrje është arsyetuar me nevojat operacionale dhe rritjen e performancës. Si argument, është përdorur Udhëzimi Administrativ për Marrëdhënien e Punës në Policinë e Kosovës, ku neni 38, i jep kompetenca drejtorit të Policisë për transferimin e zyrtarëve policorë prej një vendi, në tjetrin. Megjithatë, asnjë arsye më shumë. Si rezultat, pas vendimit, rreshteri Gashi e pati të pamundur të ishte pjesë e intervistimit të Rozeta Hajdarit, në rastin e Rezervës që e hetoi nga ditët e para.
“Ky është pengim direkt i hetimeve, sepse rastin e Rezervës, por edhe rastet e tjera që janë inicuar nga këta hetues, duhet t’i jepen dikujt tjetër”, ka thënë një burim në kushte anonimiteti.
Largimi i rreshterit Gashi, u synua edhe më herët. Disa muaj më parë, në rrjete sociale u shpërndan disa fotografi, nëpërmjet të cilave pretendohej se rreshteri në Njësinë e Veçantë, Idriz Gashi, kishte marrë pjesë në një tubim të fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës. Vetëvendosje nisi një fushatë agresive linçuese, ku u përfshin edhe deputetë e ministra. Megjithatë, pamje të tjera që u publikuan më pas në Nacionale e media të tjera, vërtetuan se në ndejën ku ishte Gashi, nuk kishte qenë asnjë politikan. Megjithatë, ai u suspendua për pak ditë, u kthye në punë, dhe u suspendua sërish pa afat të caktuar. Pas disa muajsh, u vërtetua se rreshteri nuk kishte qenë pjesë e asnjë tubimi politik, dhe si rezultat ishte kthyer në vendin e tij të punës, pra në Njësinë e Veçantë. Kjo ishte bërë e ditur nga avokati i tij, Arianit Koci. Kjo dëshmohet edhe me vendimin që e ka parë Nacionale, pasi aty nuk përmendet asnjë shkelje disiplinore apo diçka ngjashëm.
Përveç rreshterit Idriz Gashi, nga Njësia e Veçantë Hetimore u largua dhe u degradua hetuesi Shaip Elshani. Siç ka mësuar Nacionale, ai u dërgua si hetues në rajonin e Gjakovës, në stacionin e Policisë në Malishevë. Sipas burimeve, edhe ndaj tij, arsyetimet ishin të njëjta. Pra, për nevoja operacionale. Elshani, kishte qenë pjesë e ekipës hetimore me numër 6, që drejtohej nga rreshteri Gashi, dhe e njëjta ishte shuar pas ‘reformave’ të fundit të nisura në këtë Njësi, kryesisht pas ndërrimit të pushtetit në Kosovë.
Qysh prej raportimit të para 1 viti, Nacionale ka mësuar se këta dy hetues, bashkë me të tjerë që janë në pritje të largimit, nuk janë pajisur me lëndë të tjera të ‘mëdha’, por kryesisht me raste të profilit të ulët. “Ata i etiketojnë si hetues të regjimeve të kaluara, dhe synimi është që mos me iu dhënë raste të mëdha”, ka thënë një burim i Nacionales.
Për ‘nevoja operacionale’ nga Njësia e Veçantë Hetimore, dikur Task-Forca, që heton krimin e organizuar e korrupsionin e profilit të lartë, u largua edhe ish-shefi i Njësisë, Shemsi Haziri. Edhe ky i fundit, i përfshirë në udhëheqjen e hetimeve në disa prej rasteve më të njohura korruptive.
Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në adresën e Policisë së Kosovës për këto dy degradime. Ata i kanë vlerësuar normale këto ndryshime.
“Referuar kërkesë suaj ju informojmë se, Policia e Kosovës bazuar në autorizimet dhe procedurat e parapara ligjore, strukturën organizative, nevojat policore dhe operacionale si dhe me qëllim të arritjes së objektivave strategjike, në vazhdimësi ka bërë dhe bën ndryshime dhe caktime të personelit policorë”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Ehat Miftaraj, drejtor në Institutin e Kosovës për Drejtësi, të cilët kanë trajtuar zhvillimet në këtë Njësi, ka thënë se që nga ardhja në pushtet e Vetëvendosjes, ky subjekt politik ka synuar dobësimin e kësaj njësie të Policisë që lufton korrupsionin.
“Që nga ardhja në pushtet LVV në mënyrë sistematike ka ndërmarr veprime për dobësimin dhe pengimin e punës së kësaj Task Force, duke filluar ne ndrrimin e pozitës së ish drejtorit dhe shume veprime ndaj zyrtarëve policorë në këtë task forcë lidhen me pagat por edhe ndrrimin e vendeve të punës. Edhe veprimet e fundit hyjnë në kuadër të qëllimit kryesor të partisë në pushtet për të kontrolluar këtë task forcë dhe për të përgjuar mesazhin tek secili zyrtar policor se nëse heton apo ndërmerr veprime ligjore kundër zyrtarëve të partisë në pushtet për afera korruptive pasojnë masat ndëshkuese”, ka thënë Miftaraj