Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu priti në takim Drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe drejtorin e Operativës, Afrim Ahmetaj.
Në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, rritjen e numrit të qytetarëve të infektuar me Covid-19 si dhe për konsultimet dhe vendimet e fundit që u morën nga Qeveria e Republikës së Kosovës në lidhje parandalimin e virusit, në veçanti për zbatimin dhe funksionalizimin sa më të mirë të Planit të ri Operacional të Policisë së Kosovës .
Gjithashtu, në këtë takim u vendos që Policia e Kosovës përsëri të kaloj në orarin 12-orësh, për të pasur në kontroll të plotë situatën.
Policia e Kosovës do të kujdeset që të shqiptoj dënime konform ligjit për të gjithë ata qytetarë që nuk i respektojnë masat.
Në fund të takimit Qalaj, e njoftoi ministrin Veliu se do t’i ftojë në takim të gjithë drejtorët rajonal të Policisë së Kosovës për të diskutuar konsultimet dhe vendimet e sotme, si dhe të mirën masat e menjëhershme për parandalimin e kësaj pandemie për hir të ruajtjes së shëndetit publik.
Ministria e Punëve të Brendshme bënë thirrje tek të gjithë qytetarët që të jenë së bashku në ndihmë të njëri-tjetrit, që të zbatohen udhëzimet e masat e qeverisë e të profesionistëve shëndetësorë, në mënyrë që ta fitojmë luftën kundër virusit me sa më pak dëme./IndeksOnline/