Përpos përdorimit të substancave narkotike, shumë kosovarë kapen nga njësitet policore edhe teksa i kultivojnë bimë të tilla. Madje shpesh bimë të hashashit, shkurres së kokainës e bimëve të kanabisit, hasen teksa kultivohen brenda hapësirave të shtëpive private. Një rast i tillë është raportuar rreth orës 09:10 në fshatin Zhegër të komunës së Gjilanit, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se Policia kishte shkuar për bastisje në shtëpinë e një 27-vjeçari (emër i njohur për redaksinë), i cili dyshohej për veprën penale ‘Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’.
Me të shkuar sot në mëngjes në vendbanimin e të dyshuarit, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar një bimë narkotike të llojit kanabis sativa me gjatësi mbi 1 metër.
Sipas burimeve, 27-vjeçari e kishte mbjellë në një vazo dhe e kishte lënë në oborrin e tij në Zhegër, ku edhe e kishte gjetur Policia.
Si pasojë e kësaj, ai është shoqëruar në Stacionin Policor për intervistim dhe me urdhër të prokurorit ndaj tij është hapur rasti ‘Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’.