Një 31-vjeçar nga Kukësi ka humbur jetën dhe një person tjetër është plagosur pas një konflikti në një lokal nate në Prizren.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, raportin “Betimi për Drejtësi”.
“Është një lokal nate në dalje të qytetit “Kobra City”, Policia sapo i ka marr informacionet ka filluar hetimet për gjuajtjen me armë zjarri. Rasti po hetohet si vrasje”, ka thënë ai.
Bytyqi ka thënë se në stacionin policor janë duke u intervistuar 4-5 persona, ku në mesin e tyre është edhe pronari i lokalit.
“Po, në stacionin policor janë duke u intervistuar 4-5 persona, në mesin e tyre edhe pronari i lokalit”, ka thënë Bytyqi.
Policia e Shqipërisë ka njoftuar se të martën, rreth orës 4 e 25 të mëngjesit, në drejtim të spitalit rajonal të Kukësit kanë hyrë 3 shtetas të Shqipërisë, ku dy prej tyre ishin plagosur me armë zjarri në Prizren.
“Si pasojë e plagëve të marra shtetasi V. C., ka ndërruar jetë gjatë rrugës, ndërsa shtetasi R. Sh., ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë/BetimipërDrejtësi