Policia e Kosovës ka apeluar të gjithë shoferët që të vendosin gomat e dimrit para përfundimit të afatit të fundit më 15 nëntor.
Në një njoftim zyrtar, Policia ka kërkuar që drejtuesit e automjeteve të ndërmarrin masat e nevojshme për t’u përgatitur për sezonin e dimrit, që karakterizohet nga kushte të vështira atmosferike dhe rrugë të rrëshqitshme.
Vendosja e gomave të dimrit është e domosdoshme për të përmirësuar kontrollin mbi automjetin dhe për të siguruar një rrugë më të sigurt, sidomos në situatat me dëborë, akull dhe lagështi. Policia ka theksuar se pajisja e automjetit me goma dimërore rrit sigurinë jo vetëm për drejtuesit e automjeteve, por edhe për të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në trafik.
Në njoftimin e saj, Policia i ka bërë thirrje shoferëve që, përveç vendosjes së gomave dimërore, të jenë të kujdesshëm në menaxhimin e distancave të sigurta mes automjeteve, të ulin shpejtësinë në kushte të motit të rënduar dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore.
Përgatitja dhe kujdesi i shtuar gjatë sezonit dimëror janë thelbësore për shmangien e aksidenteve dhe krijimin e një mjedisi sa më të sigurt në rrugët e Kosovës. Policia e Kosovës do të vazhdojë monitorimin e zbatimit të kësaj mase, me qëllim garantimin e sigurisë së të gjithë qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në trafik.