Policia e Kosovës ka njoftuar se janë arrestuar dy zyrtarë policor në veri të Mitrovicës, si të dyshuar për veprën penale “Manipulim me prova”.
Më parë ishte raportuar se arrestimi i policëve ndërlidhet me vrasjen e Oliver Ivanoviçit, që ka ndodhur në janar të këtij viti në veri të vendit.
Komunikata e Policisë:
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar sot dy të dyshuar duke realizuar edhe dy bastisje në bashkëpunim me Policinë e Kosovës (PK) dhe në konsultim me prokurorinë kompetente.
Me autorizim të prokurorit dhe Gjykatës Themelore në Mitrovicë, hetuesit e IPK-së dhe PK-së kanë realizuar urdhëresën për bastisje në Mitrovicën e Veriut me dyshimin se dy zyrtarë policorë kanë kryer veprën penale “Manipulim me prova” të paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Sot (10.02.2018) në orët e pasdites hetuesit e IPK-së dhe PK-së kanë zbatuar urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë dhe janë bastisur dy lokacione në Mitrovicën e Veriut si dhe është konfiskuar një revole e llojit TT si dhe dy karikatorë me nga 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm që do shërbejnë për procedurën penale të mëtutjeshme.
Me vendim të prokurorit të shtetit, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar dy të dyshuar (dy zyrtarë policorë të stacionit policor në Mitrovicën e Veriut) dhe të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore.