Një 25-vjeçar me inicialet A.A., me shtetësi maqedonase është në kërkim të policisë, pasi që i njëjti dyshohet se është i përfshirë në trafikim me lëndë narkotike brenda dhe jashtë territorit të Kosovës.
Njësitë relevante policore në vendbanimin e të dyshuarit në një fshat të Gjilanit, kanë sekuestruar 2.4 kg-lëndë narkotike, e cila dyshohet të jetë heroinë, 6.8 gram-lëndë narkotike që dyshohet se është marihuanë, dy armë të shkurta, pesë armë të gjata, një veturë me targa të Kumanovës, një veturë me targa vendore dhe një sasi e municionit kalibrash të ndryshme.
“Gjatë realizimit të urdhër kontrollit, i dyshuari nuk ka qenë prezent, por është njoftuar nga familjarët që të paraqitët në vendngjarje, i njëjti nuk i është përgjigjur ftesës zyrtarëve policore dhe ndodhet në arrati”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, është bërë e ditur se lidhur me narkotikët hetimet janë duke vazhduar në Gjilan.
“Rastin për armët e sekuestruara janë duke u marruar njësitë tjera për shkak të kompetencave lëndore. Substancës se dyshuar narkotike iu është bërë testi fushor me që rast ka rezultuar pozitiv. Lidhur me të gjitha veprimet e ndërmarra nga DHTN-Gjilan është njoftuar Prokurorja e Shtetit nga PTHDKR-Gjilan”, thuhet mes tjerash në komunikatë.