Policia shqiptare ka paralajmëruar qytetarët që të tregojnë kujdes në lidhje me disa mesazhe që po i dërgohen përdoruesve të rrjetit social Facebook në emër të kompanisë Meta Platforms.
Përmes një njoftimi për mediat, Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike bën me dije se po përdoret një skemë mashtruese, me qëllim marrjen e llogarive të Facebook të përdoruesve.
Mesazhet mund të vijnë nga numra kryesisht të huaj, për konfirmimin e të dhënave në rrjetin social Facebook, të lidhura me shërbimin Facebook Ads, por jo vetëm. Në këto mesazhe mashtruese pretendohet verifikimi i llogarive në Facebook ose në të kundërt, llogaria do të mbyllet.
Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë bën thirrje që nëse jeni ose dyshoni se mund të jeni i prekur nga dërgimi i këtyre mesazheve, të paraqiteni pranë zyrave të tyre, ndërsa këshillon që të mos kryeni asnjë veprim kundrejt këtyre mesazheve.