Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, duke vepruar në bazë të autorizimeve ligjore, ka formuar një task forcë të veçantë me fokus arrestimin e personave të kërkuar nga organet e drejtësisë.
Gjatë periudhës 13.05.2025 deri më 13.08.2025, përmes veprimeve operative të planifikuara dhe të koordinuara në terren, janë realizuar disa operacione policore, të cilat kanë rezultuar me lokalizimin dhe arrestimin e njëzet e një (21) personave të shpallur në kërkim nga gjykatat kompetente.
Personat e arrestuar kanë qenë të dënuar me masa burgimi nga 1 (një) deri në 5 (pesë) vite e 6 (gjashtë) muaj, për vepra të ndryshme penale, përfshirë:
•Vrasje në tentativë,
•Trafikim me njerëz,
•Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm,
•Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve,
•Bashkësi jashtëmartesore me person nën moshën 16 vjeç,
•Vjedhje e Vjedhje të rënda, si dhe vepra të tjera penale.
Pas përfundimit së procedurave ligjore, të gjithë të arrestuarit janë dërguar për vuajtje të dënimit.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan vazhdon me përkushtim në zbatimin e ligjit, duke ndërmarrë veprime të vazhdueshme për lokalizimin dhe arrestimin e personave që ende nuk i janë përgjigjur thirrjes së gjykatave.