Policia e Kosovës në rajonin e Gjilanit tashmë ka filluar edhe një operacion dhjetëditor i cili titullohet “Kontrollet e jashtëzakonshme teknike”. Një operacion i tillë ka filluar më 21 tetor dhe do të përfundojë më 31 tetor.
Vetëm për dy ditë, në komunikacion janë ndaluar 17 automjete, pronarët e të cilave më pas policia i ka detyruar që të bëjnë kontrolle urgjente teknike.
Nga këto 17 vetura të ndaluara, 11 kanë qenë kombi, 3 vetura, 2 vetura-pikap dhe një kamion. “Gjendja teknike e automjeteve që qarkullojnë në rrugët tona ka një rëndësi të veçantë në rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor, andaj kontrollimi dhe verifikimi i gjendjes teknike të tyre do rrisë edhe me tepër synimet tona në drejtim të rritjes së sigurisë dhe preventivës së përgjithshme për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor brenda zonës së përgjegjësisë DRP Gjilan”, është thënë në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Më tutje në këtë njoftim, policia ka treguar edhe për planin operativ. “Policia e Kosovës njësite e Trafikut rajonal përmes Planit Operativë ‘Kontrollet e jashtëzakonshme teknike’ janë fokusuar në identifikimin e automjeteve që qarkullojnë në rrugë dhe dyshohet se nuk janë në gjendje të kënaqshme teknike, dhe ndërmarrin masa duke u bazuar në nenin 252 të LRRTRR për të krijuar një klimë sigurie për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor”, është bërë me dije në njoftimin e policisë.