Policëve të Kosovës u kanë dalë vetëm pagat bazë për muajin mars. Atyre nuk u janë paguar orët shtesë dhe ato të ndërrimit të natës. Por nga Ministria e Financave kanë thënë se përgjegjësia për përgatitjen e listave të pagave dhe sigurimin e buxhetit të mjaftueshëm për shtesat mbi pagën bazë u takon organizatave përkatëse buxhetore.
Policëve të Kosovës u kanë dalë vetëm pagat bazë për muajin mars. Atyre nuk u janë paguar orët shtesë dhe ato të ndërrimit të natës.
Për këtë çështje ka reaguar ashpër Sindikata e Policisë së Kosovës, duke vlerësuar se kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e zyrtarëve policorë.
“Sindikata e Policisë së Kosovës shpreh shqetësimin e saj lidhur me vonesën në pagesën e ndërrimit të natës dhe orëve shtesë për zyrtarët policorë.Në prag të festës, policët nuk e kanë marrë pagën e merituar, e cila është e domosdoshme për planifikimin e angazhimeve të tyre familjare dhe personale. Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre dhe ka krijuar pasiguri në lidhje me realizimin e angazhimeve të përditshme”, thuhet në reagim.
Sindikata e Policisë e Kosovës ka kërkuar nga Ministria e Financave që t`i ekzekutojë menjëherë pagesat e prapambetura, duke siguruar kompensimin e plotë për ndërrimet e natës dhe orët shtesë.
Nga kjo sindikatë kanë thënë se nuk do të heshtin derisa të realizohet pagesa e plotë e të gjitha kompensimeve të papaguara.
Por nga Ministria e Financave kanë thënë përmes një komunikate se përgjegjësia për përgatitjen e listave të pagave dhe sigurimin e buxhetit të mjaftueshëm për shtesat mbi pagën bazë i takon organizatave përkatëse buxhetore.
“MFPT, përkatësisht Thesari, vetëm sigurohet që shuma është në përputhje me ndarjen buxhetore, dhe e bën procedimin e pagesës nëpër llogari individuale. U takon organizatave buxhetore përkatëse që të planifikojnë buxhetin vjetor nëpër muaj, dhe të sigurohen se kanë buxhetin e mjaftueshëm kur miratojnë shtesa tjera mbi pagën bazë. Çdo tejkalim i ndarjes buxhetore proporcionale mujore, mund të rezultojë në situata ku bëhet i pamundur ekzekutimi i plotë”, thekson ministria.
Lidhur me këtë situatë, gjatë ditës ka pasur reagime edhe nga opozita. Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një postim në Facebook, ka thënë se po rrezikohet mirëqenia e policëve.
“Siguria në vend, e brishtë dhe e luhatshme sikurse është këto vite, e vënë në rrezik nga veprime të pakoordinuara, përpos që ka destabilizuar çdo raport të ndërtuar me partnerët tanë të sigurisë, po vë në rrezik edhe mirëqenien e përditshme të njeriut me uniformë në Kosovë. Çmimet e rritura, faturat e fryra dhe pagat e njëjta ia pamundësojnë punën e dinjitetshme secilit, e sidomos këtyre kategorive që vënë në rrezik jetët e tyre”, tha ai.
Haradinaj shtoi se këto janë edhe arsye pse policët e ushtarët po largohen nga detyrat e tyre fisnike për të siguruar mirëqenie familjare. /rtk