Policia kërkon që të respektohen shenjat e komunikacionit rrugor Policia paralajmëron se do të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit Referuar kushteve atmosferike, ndryshimit të motit me të reshura më të dendura të borës në vendin tonë, Policia e Kosovës apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes më të shtuar gjatë ngasjes së automjeteve në trafik.
Policia e Kosovës bën të ditur se përmes planeve konkrete me njësitet e saj ka marrë masa për përforcimin e shërbimeve të Policisë së Komunikacionit Rrugor në të gjitha akset rrugore, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe parandalimit të aksidenteve në trafik.
Policia kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor si dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike gjatë ngasjes së automjeteve. Policia po ashtu, përmes një komunikate kërkon nga pjesëmarrësit në trafik të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit, të posedojnë pajisjet e nevojshme dimërore, t’iu përshtaten kushteve të rrugës dhe kushteve atmosferike, pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion.
Në të kundërtën, Policia e Kosovës paralajmëron se do të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë në trafik, parandalimin e aksidenteve, e në veçanti të atyre me pasoja fatale.