Policia e Kosovës, përmes zyrtarëve kufitarë të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, ka realizuar një seri veprimesh të suksesshme për parandalimin e kontrabandës me cigare.
Gjatë periudhës dhjetor 2024 – janar 2025, si rezultat i implementimit të planeve operative dhe angazhimeve shtesë, janë identifikuar katër raste të kontrabandimit të cigareve me destinacion kryesor Londrën.
Në një nga rastet më të fundit, më 11 janar 2025, u parandaluar kontrabandimi i 41 pakove me cigare nga një shtetas bullgar, i cili tentoi t’i dërgonte ato përmes Kosovës në Britaninë e Madhe. Policia, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka sekuestruar mbi 340 pako cigare, kryesisht produkte të llojeve të shtrenjta.
Policia e Kosovës ka njoftuar se do të vazhdojë me intensifikimin e kontrolleve dhe angazhimeve për të parandaluar kontrabandën e cigareve dhe produkteve të tjera, duke i inkurajuar qytetarët të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo dyshim të mundshëm.