Policia e Kosovës ka filluar hetimet për rastin e vdekjes së pacientit në Klinikën e Kardiokirurgjisë në QKUK.
Policia e Kosovës është duke e trajtuar rastin e vdekjes së pacientit në Klinikën e Kardiokirurgjisë në QKUK, shkruan Gazeta Shneta.
Kjo është konfirmuar për Gazetën Shneta nga zëdhënësja e Policisë Flora Ahmeti.
“Jemi duke e trajtuar këtë informatë në koordinim me prokurorinë dhe institucionet e tjera përkatëse”, ka deklaruar Ahmeti, duke mos dhënë më shumë detaje.
Kujtojmë se rasti po hetohet edhe nga Inspektorati Shëndetësor të cilët kanë zbarkuar sot në klinikën e Kardiokirurgjisë, ndërsa janë paralajmëruar hetime edhe nga prokurori i Odës së Mjekëve të Kosovës.
Një pacient ka vdekur dje në Klinikën e Kardiokirurgjisë, pasi i ishte nënshtruar një operacioni të rrallë të njohur si “David”, nga mjekët e klinikës. Rasti u bë publik nga kardiokirurgu Kushtrim Shala, i cili në një postim në rrjetet sociale kishte thënë se operacioni ishte kryer me sukses.
Por fatkeqësisht pacienti kishte ndërruar jetë disa orë më vonë pas operacionit. Ndërkaq drejtori i Klinikës Rifat Brahimaj, ka thënë se mjeku që e ka kryer këtë operacion nuk ka kompetencë profesionale për intervenime të tillë, e madje sipas tij ka vështirësi edhe në procedura standarde.
Për këtë rast SHSKUK i ka thënë Gazetës se do të marr masa në rastin e publikimit të fotografive dhe shkrimit në media nga mjeku, por nuk ka sqaruar më tutje nëse do të rishikohet intervenimi i kryer nga mjekët. /Gazeta Shneta/