Referuar rastit të cilit është publikuar në media nga DRP-Gjilan, të raportuar me datë 03.12.2018 rreth orës 15:30, (në objekt fetar-kishë ) në fshatin Grncar të Kllokotit, të cilësuar si “Vjedhje e Rëndë”, ju informojmë se menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat policore për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore.
Ashtu siç është bërë e ditur mbështetur në hetimet e para policore, dyshohet se kjo vjedhje është realizuar nga N.N. person/a të dyshuar, të cilët dyshohet se përmes dy dritareve kanë hyrë brenda në objekt dhe kanë kryer vjedhjen e parave në vlerë prej rreth (2.000) dy mijë dinarëve, (afërsisht rreth 16 gjashtëmbëdhjetë euro).
Në vendin e ngjarjes përveç njësiteve për hetimin e krimit, njësitit të forenzikes së nivelit rajonal, janë angazhuar edhe njësite policore nga krimet e rënda të nivelit qendror, me qëllim të zbardhjes sa më parë të këtij rasti.
Të gjitha veprimet policore janë ndërmarr sipas procedurave të parapara ligjore dhe në konsultim me prokurorin kujdestar, është intervistuar pala ankuese i cili ka deklaruar se përpos dëmtimit (thyerjes) së dy dritareve dhe vlerës së parave të cekura nuk është shkaktuar ndonjë dëm tjetër.
Policia e Kosovës, ka në fokusin e përditshëm të punës së saj luftën kundër të gjitha llojeve të krimit, kapjen dhe arrestimin e të dyshuarve si dhe garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike, andaj ftojmë të gjithë qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me rastet kriminale e veçanërisht për rastin e sipërshënuar të mbështesin policinë me informacionet e tyre për hetimin dhe zbulimin e akteve të tilla (tel. 192).