Policia e Kosovës, ka reaguar sërish lidhur me dokumentet e falsifikuara që po qarkullojnë në media për urdhëra gjykate, duke thënë se të tillat janë të rrejshme dhe nuk janë lëshuar nga Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit të PK-së, këto dokumente po bëhen për qëllime të caktuara, duke përdorur emrat e zyrtarëve të lartë policor, raporton Gazeta10.
“Shpërndarja e këtyre e-mailave, kinse janë e-maila zyrtar të lëshuar në emër të zyrtarëve të lartë të PK-së, përfshirë edhe një dokument që përmban logo të PK-së, logo qeveritare, vule të ndryshme dhe një mbishkrim të EUROPOL, kinse janë lëshuar me qëllim të njoftimit të palës së caktuar për urdhër gjykate, nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-maila dhe dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara. Siç e kemi theksuar në sqarimin e parë, tani edhe në sqarimin e dytë e ri-theksojmë se, në e-mailin dhe dokumentin e falsifikuar, janë përdorur emrat e zyrtarëve të lartë të PK-së dhe logot e ndryshme, por se ri potencojmë se nuk janë dokumente zyrtare, nuk përmbajnë formatin dhe shkrimin zyrtar të PK-së, si dhe nuk janë lëshuar nga adresat zyrtare të Policisë së Kosovës.”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se kanë filluar hetimet lidhur me zbulimin e kryerësit të kësaj vepre penale.