Policia e Kosovës deklaron se menaxhimi dhe kontrolli i situatës së sigurisë në vend vazhdon të jetë prioritet kryesor i saj.
“Përpjekje maksimale janë duke u bërë për tejkalimin e situatës tanimë disa ditë të tensionuar në veri të Mitrovicës”, deklaron policia.
Në funksion të realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore, Policia e Kosovës ka paraparë planifikime adekuate-operacionale në angazhimin e personelit dhe kapaciteteve të saj në mënyrë sa më racionale në arritjen e objektivave të ligjshme në gjithë vendin.
“Me qëllim të krijimit të një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim”, deklaron policia.
Kështu, në rrugën magjistrale Mitrovicë–Leposaviq, Policia e Kosovës ka vendosur pika kontrolli të automjeteve për të garantuar qarkullimin dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë pa dallim, si dhe parandalimin e veprimtarive kriminale dhe kontrabandës në përgjithësi.
Policia deklaron se pjesëtarët e saj janë të përkushtuar për të ruajtur rendin dhe garantuar sigurinë e përgjithshme në gjithë vendin dhe varësisht prej nevojave të ndërmarrin veprime të nevojshme në teren në funksion të garantimit të ligjshmërisë./rtklive/