Sekretari i Përgjithshëm i Institutit për Strategjinë Euro-Atlantike, njëherësh edhe politikan në Serbi, Boban Bogdanoviq, në një reagim në rrjetin social “X”, ka thënë se mbrëmë si serb atij i ka ardhur turp nga Ana Bërnabiq gjatë paraqitjes së saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Ai fjalimin e kryeministres serbe e ka quajtur të djathtë dhe autokratik.
Derisa është ndier krenar me krejt atë çka paraqiti e çka tha presidentja e Kosovës Vjosa Osmani para anëtarëve të KS të OKB-së.
“Si serb dhe qytetar i Republikës së Serbisë më vjen turp nga fjalimi i djathtë dhe autokratik i Ana Bërnabiq në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Si qytetar i Evropës, jam krenar për fjalimin demokratik të presidentes Vjosa Osmani”, ka shkruar Bogdanoviq në X.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në seancën e djeshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka folur për agresionin serb në Kosovë më 24 shtator.
Ajo thotë se ky nuk ishte vetëm sulm ndaj Kosovës por përpjekje për destabilizim te Ballkanit Perëndimor.
Osmani tutje thekson faktin qe Milan Radojiçiq endet i lirë në Serbi përkundër që ka pranuar pjesëmarrjen në sulm.
Osmani ka dalë më një mori kërkesash për OKB-në që duhet të ndërmarrin ndaj Serbisë, në mesin e tyre edhe vendosjen e masave.
“Kërkojmë nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe kërkesa jonë është e qartë. Kosova ka nevojë për garanci substanciale në kuadër të kornizës euroatlantike që të ecim përpara duhet të përqendrohemi që Serbia të frenohet nga sulmet terroriste në Kosovë, dhe hetim e sulmit të fundit terrorist”.
“Për më tepër rritja e sigurisë në kufijtë e Kosovës me Serbinë, miratimi i masave të rrepta ndaj Serbisë siç kërkohet. Një rezolutë do të shënonte zotimin për të ruajtur paqen dhe sigurinë në tërë rajonin dhe në tërë kontinentin e Evropës, kjo do të thoshte se demokracia nuk është e heshtur përballë regjimeve autokratike”, ka thënë Osmani. /Reporteri.net/