Shkruan: Mehmetali Rexhepi
Shkasi i këndvështrimit tim, kësaj here le të jetë i riu, kandidati për kryetar të Degës së PDK-s në Gjilan, Flurim Arifi… Mendoj se ai ka përfaqësuar një frymëmarrje të lirë, siç është liria e vërtetë, ka dhënë prova për kthimin e sinqeritetit në politikë-bërje… Palën tjetër nuk e ka shpifur, as i ka shfaqur urrejtje. Thjesht, ka hyrë në garë për të sjellë një vizion të mundshëm për subjektin politik që e ka kapluar amullia, injoranca tejet primitive, servilizmi dhe psikologjia e vartësit… Mungesa e kritikës së shëndosh dhe parimësia e përputhjes së fjalës me veprën. Ishte dhe ende është koha që politikës në Gjilan t`i kthehet etika, pastërtia e bartësit të qëllimit dhe realizimit politik, vetëm të asaj që është e mundur, jo ushqimit të iluzioneve të mashtrimit, të ndërsimit të veprimtarëve, shokëve e miqve kundër njëri-tjetrit; logjikës së përfitimit grupor, familjarë… Për fat të keq, kjo mendësi është zotëruese e Degës së PDK-s në Gjilan. Si veprimtar i kahershëm i çështjes kombëtare, së cilës i kam dhënë shumëçka nga vetja dhe kurrë nuk kam kërkuar përfitime për veten, kam të drejtë të shpreh pikëvështrimet e mia… Kjo liri mua nuk më ka mundësuar as pensionim të mirëfilltë?! Çfarë arsye kam pasur t`i shkoj prapa ndonjë lideri të ndonjërës parti politike, kur djali im, si shumë të tjerë mori në sy rrugën e mërgimit?! Fitores së kujt t`i gëzohem kur Komuna ime i bllokon pagat jubilare të pensionit tim dhe, kundër Komunës sime duhet të ngre procedurë gjyqësore dhe ajo të më shtyhet pa afat, ndoshta paditësit do t`i vijë vdekja ?! Çfarë liderësh janë këta, të cilësdo parti, kur nuk janë në gjendje një libër shkencor a artistik t`ia sponsorizojnë një krijuesi katër-pesë dhjetëvjetorësh?! Për shumëçka tjetër që mund të thuhet, këtu nuk ka vend… Megjithatë, si “idealist i pashërueshëm” nuk jam ndalur… Andaj, më së lehti është për liderët tanë të merren me logjikën e injorimit, me mënyra të ndryshme për filanin… Me bllokime!… Sido qoftë diçka nga shpirti stoik dhe papërkulshmëria e Bacë Adem Demaçit ka lëshuar rrënjë herët në shpirtin dhe karakterin tim… Andaj, vazhdoj të ruaj ndjeshmërinë për dinjitetin që përfaqësoj…