Shkruan: Dr. Enver Sadiku
Fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX ishte periudhë kohore kur Perandoria Osmane kishte humbur fuqinë e saj të dikurshme dhe ndodhej para shpërbërjes. Trazirat brendapërbrenda Perandorisë dhe kryengritjet e vazhdueshme të shqiptarëve i kishin dobësuar themelet e saj në Gadishullin Ballkanik. Edhe në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit XX, Perandoria Osmane vazhdonte që nën sundimin e saj të kishte territore në Ballkan. Territoret e banuara me shqiptarë nën sundimin osman ishin të ndara në katër vilajete: të Shkodrës, të Janinës, të Manastirit e të Kosovës. Vilajeti i Kosovës i krijuar në vitin 1873, fillimisht njihej si Vilajeti i Prizrenit, i cili përveç territoret e Kosovës së tashme, përfshinte territoret e sanxhakut të Dibrës, Shkupit dhe sanxhakut të Nishit. Në fillim të shekullit të XX, Vilajeti i Kosovës me territor ka qenë shumë më i madh se sa Kosova e sotme dhe në të janë përfshirë Kosova, Sanxhaku, Lugina e Preshevës dhe Maqedonia Perëndimore. Shumicën dërmuese të popullatës e kanë përbërë shqiptarët, sikurse që ka pasur edhe pjesëtarë të popullatave të tjera, që kanë qenë dukshëm më pak në numër se sa shqiptarët.
Pas luftës ruso – osmane të viteve 1877 – 1878 e ndryshimeve territoriale, në përbërje të Vilajetit të Kosovës me qendër në Shkup (1888 – 1912), kanë qenë njësitë më të vogla administrative – sanxhaqet, të tilla ishin Sanxhaku i Shkupit, i Prizrenit, i Pejës, i Pazarit të Ri dhe i Prishtinës, të cilat i udhëhiqnin mytesarifët apo kryetarët e rretheve. Në kuadër të sanxhaqeve, njësi më të vogla administrative kanë qenë kazatë (rrethet), e në kuadër të kazave si njësi edhe më të vogla ishin nahijet.
Kazaja (Rrethi) e Gjilanit me rrethinë, sipas rregullimit administrativ, në fillim të shekullit XX ishte kaza në kuadër të sanxhakut të Prishtinës dhe kishte të gjitha zyrat si të gjitha kazatë tjera. Sipas sallnameve të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, Kazaja e Gjilanit kishte kapitalin e Arkës së Jetimëve, degën e Bashkisë së Bujqësisë, një shkollë qyteti me shtatë nxënës, një foshnjore vajzash dhe pesë shkolla fillore me 325 nxënës. E gjithë kazaja përbëhej prej 190 katundeve.[1]
Shatërvani para Xhamisë së Madhe në Gjilan (foto e fundit të shek. XIX)
Kazaja e Gjilanit ishte ndër rrethet më të mëdha të Vilajetit të Kosovës, ajo përfshinte territore të tanishme të komunave të Gjilanit, Dardanës (Kamenicës), Artanës (Novobërdës), Vitisë e në kuadër të kazasë hynin edhe territore të komunave të Kaçanikut, Prishtinës, Preshevës dhe Bujanocit. Për nga shtrirja gjeografike, kjo kaza përfshinte Malësinë e Karadakut dhe kufizohej me Luginën e Preshevës, nga Veriu e Verilindja ka kufirin natyror të Maleve të Gollakut dhe Maleve të Zhegocit nga Lindja dhe Perëndimi, përmes këtij territori shtrihet rrafshi i luginës së Lumit Morava.[2] Selia e kazasë ishte në Gjilan, që ishte kasaba (qytet). Qyteti përbëhej prej gjashtë mëhallëve (lagje): Mëhalla e Çarshisë, Mëhalla e Xhamisë së Vjetër, Mëhalla e Re (Mëhalla e Balecit), Mëhalla e Varoshit, Mëhalla e Poshtme (Dere Mëhalla) dhe Mëhalla e Romëve.[3]
Në Gjilan ishte e vendosur edhe administrata, ndërsa si organ kryesor administrativ në kuadër të kazasë ishte kajmekami, i cili drejtonte të gjitha punët publike, financiare dhe policore. Sipas këtij rregullimi administrativ, kazaja e Gjilanit kishte Gjyqin e Rrethit që kishte kryetarin (naibi), shefin e financave (defterdari) dhe sekretarin e korrespondencës (qatipi). Naibi, defterdari dhe qatipi përbënin Kuvendin e Kazasë, bashkë me anëtarët e zgjedhur që ishin tre qytetarë myslimanë dhe një i krishterë. Në kuadër të kazasë funksiononte edhe Gjyqi Civil i Shkallës së Parë për punët qytetare, ku kryetar i trupit gjykues ishte naibi dhe dy anëtarë të zgjedhur, një mysliman e një i krishterë. Gjithashtu në kuadër të kazasë vepronte edhe komisioni i regjistrimit të pasurisë, ndërsa kishte edhe nëpunës tjerë si: mbledhësi i tatimeve, dhënësi i pasaportave, qatipi i tapive, mydyri i telegrafit e nëpunës të tjerë.[4]
Kazaja e Gjilanit përfshinte një territor të gjerë, andaj për shkak të lëvizjeve të shumta kryengritëse në fillim të vitit 1910, me urdhrin e sulltanit, në kuadër të kazasë së Gjilanit u formuan dy nahije: Nahija e Moravës së Epërme me qendër në Lubishtë dhe Nahija e Moravës së Poshtme me qendër në Hogosht.[5]
Sipas sallnamesë së ndarjes territoriale të Perandorisë Osmane, në fillim të shekullit XX, rrethi i Gjilanit në përbërje të tij kishte 54694 banorë, ku dominonte popullsia myslimane (shqiptare), pastaj vinin të krishterët, e kishte edhe romë, të të dy përkatësive fetare. Edhe në brendi të qytetit dominonte popullsia myslimane (shqiptare). Kazaja e Gjilanit kishte 28 mijë e 595 meshkuj e femra myslimanë (shqiptarë) dhe 21 mijë e 412 të krishterë meshkuj e femra (në kazanë e Gjilanit, sidomos në fshatrat e Malësisë së Karadakut jetonin dhe vazhdojnë të jetojnë një numër i shqiptarëve të besimit katolik. E.S.).[6] Statistikat e Perandorisë Osmane, kur krahasohen me ato gjermane, serbe e bullgare të kohës, e që kanë të bëjnë me përkatësinë kombëtare, shpesh nuk përputhen, duke qenë nganjëherë edhe kontradiktore. Dihet se Perandoria Osmane regjistrimin e popullsisë e bënte në bazë të fesë e jo në bazë të kombësisë, kurse nga të dhënat e nxjerra dëshmohet se shumica e banorëve të Gjilanit dhe e tërë kazasë ishin shqiptarë të besimit islam. Në disa fshatra të Karadakut kishte popullsi shqiptare të besimit katolik. Pjesa tjetër e popullsisë ishin serbë, romë, çerkezë e të tjerë. Gjuha osmane ishte gjuhë zyrtare e administratës dhe atë e flisnin një numër i shqiptarëve, sidomos ata në qytete, pra edhe në qytetin e Gjilanit, duke pranuar disa prej tyre edhe doket dhe zakonet osmane.[7]
Se popullsia shqiptare e Vilajetit të Kosovës, e me këtë edhe ata të kazasë së Gjilanit ishin shumicë dërmuese, dëshmojnë edhe dokumente të Arkivit Shtetëror të Vjenës të vitit 1912, të cilat japin fakte se në katër vilajetet e banuara kryesisht me shqiptarë (Vilajeti i Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës) jetonin rreth 1.980.000 shqiptarë e prej tyre Vilajeti i Kosovës kishte 900.000 banorë, kurse Sanxhaku i Prishtinës në kuadër të të cilit ishte edhe kazaja e Gjilanit, kishte rreth 250.000 banorë.[8]
Pas pushtimit të Vilajetit të Kosovës nga Serbia në tetor të vitit 1912, në Kosovën e pushtuar e me të edhe në Gjilan me rrethinë, Serbia vuri në zbatim ndarje territoriale me të cilat në njësitë territoriale mundohej të përfshinte sa më tepër elementë sllavë nga viset e brendshme të Serbisë. Me këto veprime, duke u munduar që të ndërrojë strukturën e popullatës, Serbia synonte që para Fuqive të Mëdha të vërtetonte se në viset administrative të pushtuara kishte elementë të rëndësishëm sllavë. Kjo ndarje administrative kishte gjithashtu për qëllim shpërnguljen e shqiptarëve dhe kolonizimin e këtyre trojeve me elementë sllavë.[9] Pos ndarjes administrative, pushtuesi i ri kishte filluar evidentimin dhe regjistrimin e popullsisë. Sipas një raporti të ushtrisë serbe në vitin 1912, popullsia e Gjilanit për kohën, numerikisht ishte mjaft e madhe. Qyteti i Gjilanit kishte 7.767 banorë, ndërsa Rrethi i Gjilanit, sipas këtij raporte kishte: serbë – 21.349 banorë, romë ortodoksë 2.732 banorë, katolikë 1.864 banorë, turq 4.357 banorë, shqiptarë 44.354 banorë dhe romë myslimanë 3.075 banorë, pra gjithsej 77.731 banorë.[10] Për qëllime të tyre politike, pushtuesi serb mundohej që popullatën e tyre të vogël me anën e falsifikimeve ta paraqesin numerikisht sa më të madhe se sa ishte në realitet, sepse një statistikë e tillë i nevojitej për më vonë në Konferencën e Londrës.[11] Mirëpo, siç shihet në Memorandumin shtesë të delegacionit të Qeverisë së Vlorës në Londër, më 25.01.1913, ku jepeshin të dhëna për popullsinë shqiptare në trojet etnike, fakte këto që duhej të ndihmonin në caktimin e kufijve, ndër të tjera, në pjesën ku flitej për Gjilanin, thuhej se në kazanë e Gjilanit, mbi 80 përqind e popullsisë janë shqiptarë.[12]
Për nevojat e saja politike, Serbia më 4 prill 1913, bëri një regjistrim të popullatës sipas rretheve, regjistrim i cili u realizua në kushte shtetrrethimi dhe terrori të paparë mbi shqiptarët. Sipas këtij regjistrimi, në pjesën ku flitet për rrethin e Gjilanit, thuhet se kishte 15 komuna, 195 fshatra, 11.264 shtëpi, prej të cilave 3.135 ishin serbe, 628 – turke, 6.629 – shqiptare dhe 872 – të tjera. Në pjesën ku flitej mbi numrin e banorëve të Gjilanit, sipas këtij regjistrimi, rrethi i Gjilanit kishte 76.579 banorë prej tyre 39.004 meshkuj dhe 37.575 femra.[13] Ndërkohë, shefi i Qarkut të Prishtinës, në raportin e tij nr. 3133 të datës 08 maj 1913, për gjendjen në Qarkun e Prishtinës, në pjesën ku flet për Rrethin e Gjilanit, thotë se ky rreth kishte 76.731 banorë, prej të cilëve serbë ishin 7.868 banorë, romë ortodoksë – 2.732, katolikë – 1.864, turq – 4.357, shqiptarë – 44.354 dhe romë myslimanë – 3.075 banorë.[14]
Në bazë të të gjitha statistikave, osmane, gjermane, bullgare, serbe, por edhe të atyre që i kishte paraqitur delegacioni i Qeverisë së Vlorës në memorandumin dërguar Konferencës së Ambasadorëve në Londër, del dhe dokumentohet se në Gjilan dhe rrethin e tij, ky territor ishte i banuar me shumicë dërmuese shqiptare, duke përfshirë edhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera, që ishin dukshëm në numër më të vogël.
Në bazë të të gjitha statistikave, osmane, gjermane, bullgare, serbe, por edhe të atyre që i kishte paraqitur delegacioni i Qeverisë së Vlorës në memorandumin dërguar Konferencës së Ambasadorëve në Londër, del dhe dokumentohet se në Gjilan dhe rrethin e tij, ky territor ishte i banuar me shumicë dërmuese shqiptare, duke përfshirë edhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera, që ishin dukshëm në numër më të vogël.
Qendra e Gjilanit më 1912[15]
[1] Arkivi i Institutit të Historisë në Tiranë (më tej AIH), Fondi dokumente të sjella nga Arkivi i Stambollit (AS) dhe të përkthyera në shqip – Sallnameja e ndarjes administrative dhe territoriale të Perandorisë Osmane në vitin 1899, A-IV-93, f. 36. Varësisht nga sallnamet (vjetarët), numri i fshatrave në kazanë e Gjilanit ndryshon. Sallnameja e vitit 1873/1874 jep se Gjilani kishte 227 fshatra, ajo e vitit 1893/1894 jep të dhëna se kishte 200 fshatra.
[2] Gjilani me rrethinë – studim monografik. 2012. Kuvendi i Komunës, Gjilan: Proview, f. 35.
[3] Selmani, A. 2010. Gjilani në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe fillim XX. Vjetar 43-44. Prishtinë: Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës. f. 280 – 281.
[4] Rizaj, S. 1969. Kosovski Vilajet 1896-97. Në Buletini i Fakultetit Filozofik VI, Prishtinë, f. 349.
[5] Rizaj, S. 1974. Disa dokumente serbe mbi reformat administrative në Vilajetin e Kosovës në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX. Në Vjetar i Arkivit të Kosovës VI-VII, Prishtinë, f. 108.
[6] AIH, AS, A-IV-93, f. 36.
[7] Selmani, A. 1998. Gjilani me rrethinë 1908 – 1912. Prishtinë: Dritapress, f. 26-27.
[8] AIH, Mikrofilm nga Arkivi Shtetëror i Vjenës për vitin 1912, nr. 25/37. 58/1912.
[9] Gexha, Q. 2003. Popullsia dhe raportet ndëretnike në Kosovë 1912–1914 (disertacion i doktoratës), Prishtinë, f. 43 – 44.
[10] Rushiti, L. 1997. Rrethanat politike e shoqërore në Kosovë 1912-1918, Prishtinë: Rilindja, 1997, f. 89 – 90.
[11] Gexha, Q., vep. e përm., f. 80.
[12] Po aty.
[13] Rushiti, L., vep. e përm., f. 71; Архив Србије (АC) Министарство Унутрашњих Дела (МУД). Ф-22, бр. 1. Врховна Команда III Српске Армије, 1913/04/03.
[14] Rushiti, L., vep. e përm., f. 89; AC. MУД. Ф -XV, бр. 41. Извештај начелинка Округа Косова, бр. 3133, 18.В.1913.
[15] Fotoja gjendet në Arkivin Ndërajonal në Gjilan.