Donat Syla, Shef i Parë i Misionit at Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Toronto – Kanada, ka alarmuar duke thënë se popullsia e Kosovës do të zvogëlohet për 800 mijë banorë brenda 5-7 viteve kurdo që liberalizohen vizat.
Sipas tij, liberalizimi i vizave do të ndikojë në shpopullimin e Kosovës.
Ai ka thënë se popullisa e Kosovës është lehtë e ambientueshme në tregun evropian të punës.
“Diaspora kosovare është jashtëzakonisht mirë e strukturuar, me kapacitet absorbimi të klasës punëtore nga Kosova. Shtuar këtu faktin për nevojën e madhe që kanë vendet e BE’së, e në veçanti Gjermania për punëtorë”, ka deklaruar ai.
Largimi edhe ashtu ka ndodhur pa liberalizim vizash.
Sipas mediumit turk TRP Balkans për 10 vjet Kosovës i janë larguar 500 mijë qytetarë, një shifër alarmante krahasuar me numrin e banorëve që sipas regjistrimit të popullsisë nuk është as 1 milionë e 800 mijë.
“Në Kosovë brenda 10 viteve e kanë braktisur vendin 529.647 qytetarë ose 30 për qind e popullsisë së përgjithshme. Popullsia në Kosovë për vitin 2021 vlerësohet të jetë 1,773. 971 banorë rezidentë”, ka raportuar TRT Balkan.