Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka publikuar një postim të shkurtër e simbolik në rrjetet sociale, ku përmendet vetëm emri i Kryeministrit Albin Kurti. I njëjti postim është shpërndarë nga disa zyrtarë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke nxitur reagime dhe spekulime rreth domethënies së tij.
Burime nga brenda VV-së nuk kanë dhënë ende një qëndrim zyrtar, por postimi vjen vetëm pak ditë para skadimit të afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin e vendimeve të Kuvendit të Kosovës, që është caktuar të përfundojë më 8 gusht.
Konteksti aktual politik, ku Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka arritur të konstituojë Kuvendin dhe të zgjedhë kryeparlamentarin, ka ngritur pikëpyetje nëse ky postim është një sinjal i brendshëm për unitet partiak, ndryshim të mundshëm në kandidaturën për kryeparlamentar – aktualisht e propozuar Albulena Haxhiu – apo një mobilizim simbolik për vendimet që pritet të merren pas 8 gushtit.
Derisa nuk ka sqarime nga vetë Kurti apo partia, interpretimet mbeten të hapura, por koha dhe koordinimi i postimeve lë të kuptohet se mesazhi është i qëllimshëm dhe i lidhur ngushtë me situatën institucionale./Radio Star/